Gazeta Si – Pajisjet e kërkuara për riparimin e defektit që la pa ujë të pijshëm Vlorën për katër ditë kanë mbërritur në qytet nga Turqia mbrëmjen e kësaj të hëne dhe menjëherë ka nisur puna për pjesën finale, atë për bashkimin e tubave për furnizimin me ujë të banorëve.
Sipas parashikimit të autoriteteve lokale të Vlorës, problemi pritet të zgjidhet rreth ose mesnatës së sotme, me rikthimin e furnizimit me ujë të qytetit bregdetar.
Nga 3 fasheta të sjella nga Turqia, për riparimin e çarjes së tubacionit kryesor në qytetin bregdetar, do të përdoret vetëm 1, ndërsa 2 të tjerat do të ruhen në raste të tilla emergjence.
Mungesa e ujit të pijshëm në rubinete shkaktoi reagimin e qytetarëve që protestuan përpara bashkisë për disa orë, duke kërkuar takim me drejtuesit për zgjidhjen e këtij problemi.
Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK), Flauers Shoshi, sqaroi se ndërprerja e furnizimit me ujë të pijshëm erdhi si rezultat i shkarjes së dheut dhe depërtimit të ujit në linjën e vjetër.
Ndërsa kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini, e cilësoi këtë avari si një fatkeqësi natyrore, dhe se ujësjellësi nuk është në varësi të institucionit që ajo drejton.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




