Gazeta “SI”-Në 27 dhjetor të vitit 1899, në qytetin e bukur të Pogradecit lindi Llazar Gusho, i njohur më vonë me pseudonimin letrar Lasgush Poradeci. Ai u shndërrua në një nga figurat më të shquara të letërsisë shqipe, poet, shkrimtar e përkthyes, që la gjurmë të pashlyeshme në poezinë dhe prozën shqiptare. Pseudonimi i tij vjen nga një shkurtim i emrit të tij: “La-S-Gush” nga Llazar Sotir Gusho, ndërsa mbiemri “Poradeci” lidhet me vendlindjen e tij.
Lasgush Poradeci botoi dy përmbledhje poetike që u bënë referencë në poezinë shqiptare: “Vallja e yjeve” (1933) dhe “Ylli i zemrës” (1937). Të dyja u botuan në Bukuresht të Rumanisë, vëllimi i parë me ndihmën e mërgatës shqiptare në Konstancë dhe vëllimi i dytë falë mbështetjes së Mitrush Kutelit. Përmbledhja e dytë përmban edhe vargje të përpunuara nga vëllimi i parë, duke ruajtur melodinë dhe hollësinë e veçantë të vargut poetik shqip.

Përveç poezisë, Lasgushi shkroi tregime dhe shkrime në prozë, të cilat u botuan në të përkohshmet e viteve ’30-’40, si “Përpjekja shqiptare”, e redaktuar nga Branko Merxhani, si dhe në revistat Drita dhe Nëntori. Shkrimet e tij shpesh kishin përballë censurën e kohës, por talenti dhe mjeshtëria e tij letrare i siguruan hapësira të shquara në kulturën shqiptare.
Autori la pas më shumë se 100 poezi, duke përfshirë edhe poezi dashurie. Ai ishte adhurues i fjalëve arkaike dhe shprehjeve filozofike popullore, por gjithashtu eksperimentonte me fjalët e reja dhe mënyrat e reja të të shprehurit. Mitrush Kuteli e përshkroi atë si “poetin e vetëm shqiptar që mendoi, foli dhe shkruajti vetëm në gjuhën shqipe.”
Mes veprave të njohura poetike të Lasgushit janë: “Eskursioni teologjik i Sokratit”, “Mbi ta”, “Kamadeva”, si dhe baladat për Muharrem dhe Reshit Çollakun. Përveç krijimeve origjinale, ai përktheu disa nga kryeveprat e letërsisë botërore, përfshirë: “Eugjen Onjegin” të Pushkinit, lirikat e Lermontovit, Poemat e Hajnes, Majakovskit, Gëtes dhe Hajnes, si dhe poezi të Homerit, Byronit, Shekspirit dhe poetëve të tjerë të njohur.

Në nder të kontributit të tij të madh, në 100-vjetorin e lindjes, më 27 dhjetor 1999, kryetari i Republikës, Rexhep Mejdani, i akordoi titullin “Nderi i Kombit”, ndërsa qyteti i tij i lindjes, Pogradeci, e shpalli “Qytetar nderi”. Sot, Pallati i Kulturës në Pogradec mban emrin e tij, duke e bërë të paharrueshëm trashëgiminë letrare të këtij poeti të madh.
Lasgush Poradeci mbetet zëri i gjuhës shqipe, melodik, filozofik dhe i përjetshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




