Nga Gazeta “SI”-Dymbëdhjetë personalitete të shquara u nderuan me titullin “Ambasadorë të kulturës bullgare – 2024” në një ceremoni solemne të mbajtur në Radion Kombëtare Bullgare, më 18 dhjetor 2025.
Mes të vlerësuarve ishte edhe Milena Selimi, gazetare, përkthyese dhe dramaturge nga Shqipëria me origjinë bullgare, e dalluar për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në promovimin e letërsisë bashkëkohore bullgare në gjuhën shqipe.
“Radioja është dashuria ime e parë. Kam nisur rrugëtimin tim profesional në radio dhe e di shumë mirë peshën e fjalës,” u shpreh Selimi për Radio Bullgaria pas marrjes së çmimit.

Falë përkthimeve të saj, lexuesit shqiptarë janë njohur me veprat e autorëve të njohur bullgarë si Georgi Gospodinov, Alek Popov, Kalin Terziyski, Milen Ruskov, Todor P. Todorov, Zllatimir Kolarov, etj. Në vitin 2024, Selimi u shpall “Përkthyesja më e mirë” në Panairin e Librit në Tiranë për përkthimin në shqip të romanit “Kohëstrehim”, si dhe u nderua me çmimin “At’ Gjergj Fishta”, një nga vlerësimet më prestigjioze për përkthimin letrar në Shqipëri.
Vlerësimi është pjesë e një nisme të medias publike bullgare që prej vitesh promovon krijuesit, veprimtaria e të cilëve kapërcen kufijtë kombëtarë dhe kontribuon në afirmimin ndërkombëtar të kulturës bullgare.
Çmimi “Ambasador i kulturës bullgare” iu dorëzua Milena Selimit nga shkrimtari Georgi Gospodinov, fitues i çmimit Ndërkombëtar “Booker”, i cili mban këtë titull që prej vitit 2021.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




