Lexo me "Si"

Pse të gjithë po imitojnë kërcimin e Jon Hamm?

Gazeta “SI”- Prej javësh, Instagrami dhe TikToku janë mbushur me video ku aktori i njohur Jon Hamm shfaqet duke kërcyer në ekstazë në një klub nate. Pamjet janë kthyer në një meme virale që ka ngjallur të qeshura, nostalgji dhe identifikim të fortë, veçanërisht te brezi Millennial. Por nga vjen ky moment kaq i pazakontë?

Gjithçka nis nga seriali i ri i Apple TV+, “Your Friends and Neighbors”, i publikuar më herët këtë vit. Në një nga skenat më të komentuara, personazhi i Hamm, Andrew “Coop” Cooper, shihet duke kërcyer mes turmës në një klub nate, në një gjendje euforie thuajse ëndërrimtare, pa asnjë shqetësim për botën përreth.

Klipi origjinal u publikua nga Apple në rrjetet sociale rreth nëntë muaj më parë, por vetëm kohët e fundit krijuesit e përmbajtjes e kanë shndërruar atë në një fenomen viral. Video të shumta përdorin pamjet për të ilustruar momente lumturie të pastër, çaste çlirimi emocional apo për të rikthyer me nostalgji kulturën e klubeve të fillimviteve 2010. Shumica e tyre shoqërohen me këngën elektronike “Turn the Lights Off” të DJ-së danez Kato, një hit i vitit 2010, edhe pse në serial skena shoqërohet me këngën më të re “Sentient System” nga Joseph William Morgan.

Seriali “Your Friends and Neighbors” shënon një nga debutimet më të spikatura televizive të vitit 2025. Jon Hamm luan rolin e një menaxheri fondesh spekulative, të sapo divorcuar dhe baba i dy fëmijëve, i cili humbet punën dhe, për të ruajtur stilin luksoz të jetesës, nis të vjedhë fqinjët dhe miqtë e tij super të pasur. Duke hyrë fshehurazi në vilat e tyre, ai grabit ora luksoze dhe aksesorë të shtrenjtë, sende që pronarët e tyre shpesh as nuk e vënë re se mungojnë.

Në një intervistë për USA TODAY, Jon Hamm ka theksuar se seriali pasqyron realitetin shoqëror të kohës sonë.

“Ekziston një magjepsje e çuditshme me ‘më shumë’, ku ‘më shumë’ ka zëvendësuar konceptin e ‘mjaftueshëm’. Jemi në një moment të pazakontë të kulturës sonë kolektive, në epokën e kapitalizmit të vonë”, është shprehur aktori.

Edhe pse meme-ja e kërcimit të Jon Hamm mund të duket e çuditshme në pamje të parë, ajo mbart një ndjenjë të fortë çlirimi dhe identifikimi. Mes humorit, nostalgjisë dhe kritikës së fshehtë sociale, kjo skenë ka gjetur mënyrën për të folur drejtpërdrejt me publikun , duke e kthyer një moment televiziv në një fenomen kulturor online.

Burimi: USA TODAY


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë