Humor

Nis në Shkodër edicioni i dytë i Festivalit të Humorit/ Çuliqi: Marrin pjesë emrat më të njohur

Nga Gazeta “Si” -Festivali Mbarëkombëtar i humorit hap siparin edhe këtë vit në Shkodër. Nga datat 4 deri më 8 Dhjetor, qyteti i Shkodrës do të gjallërohet me humor, muzikë dhe artistë nga e gjithë treva shqiptare.

Ky është viti i dytë që festivali organizohet në Shkodër, qytetin simbol të humorit, duke u shndërruar gradualisht në një ngjarje tradicionale për qytetin dhe duke ofruar për publikun shkodran dhe jo vetëm një javë të mbushur me të qeshura dhe humor skenik në shumë forma, nga stand-up comedy deri tek dialogu dhe humori klasik.

Drejtori artistik i festivalit, Arian Culiqi, thotë për GazetaSi.al se ky edicion do të jetë i paharrueshëm, pasi në të marrin pjesë emrat më të mirë të humorit shqiptar.

“Në këtë festival marrin pjesë personalitete të humorit nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, si dhe nga Tetova, Kumanova, Gjilani dhe Prishtina. E rëndësishme është se festivali ofron një larmi zhanresh të humorit skenik, si stand-up comedy, dialog, humor klasik etj. Si rrallëherë, në këtë edicion marrin pjesë emrat më të njohur të humorit, si parodistët e Vlorës: Sejfullah Myftari, Zyliha Miloti, Besnik Cinari, Muharrem Hoxha, Agron Llakaj, e po ashtu edhe të rinjtë si Akil Varfi, Edi Oga etj., duke i ndërthurur brezat dhe zhanret.”

Çuliqi thekson se ky festival synon të shndërrohet në traditë, pasi interesi i publikut është i lartë.

“Besoj se do të ndiqet shumë, sepse publiku shkodran tregon interes të madh. Besoj gjithashtu se ky festival, i cili mbahet për herë të dytë në Shkodër, do të shndërrohet në një traditë të bukur.”

Përgatitjet e festivalit tashmë janë në stadin final, ku nën ndriçimin e Arben Meshnunit, kostumet e Aferdita Hebovijës, grimin nga Albert Shiroka dhe nën drejtimin artistik të Arian Çuliqit, garantohet një javë plot të qeshura dhe argëtim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë