Nga Gazeta “SI”- Edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove “Gjegju Fest” po mbahet prej pak ditësh në Teatrin Migjeni të Shkodrës. Mes shumë shfaqjeve dhe prezantimeve, ajo që bie në sy është edhe pjesëmarrja e studentëve të Universitetit të Arteve, të cilët gjejnë hapësirën e tyre në këtë festival. Një ndër shfaqjet e cila shfaqet sonte në Teatrin Migjeni është edhe “Morsa” nga Luigi Pirandelo, me regji të Edison Lleshit.
Për Gazetasi.al, Edison Lleshi thotë se kjo shfaqje ka një veçanti duke qenë e gjitha produkt universitar që nga regjia, aktorët e deri te skenografia dhe muzika.
“Bashkëpunëtorët e shfaqjes, duke nisur që nga muzika e deri te aktorët, jemi të gjithë studentë të arteve. Në rolin kryesor, pra të Xhulias, është Suela Prendi, ndërkohë rolin e bashkëshortit të saj, Andreas, e interpreton Xhilberto Gega, ndërsa në rolin e dashnorit Antonios është Eno Basha.

E theksoj, jemi të gjithë studentë dhe është një punë universitare. Gjithashtu skenografia është e Sliada Muaj , koreografia nga Selin Bollati dhe muzika nga Rafael Gurra. Pra ka një bashkëpunim të të gjitha departamenteve të akademisë së arteve duke mbledhur kështu disa komponentë për të krijuar këtë shfaqje.”
Regjisori Lleshi sqaron edhe mënyrën sesi e sjell veprën “Morsa”, një thriller psikologjik i cili në qendër ka tradhtinë dhe poshtërimin.“Në këtë festival prezantohem me shfaqjen Morsa të Luigi Pirandelos. Tema kryesore e veprës është tradhtia, një temë bashkëkohore e njëkohësisht e rëndë si trajtesë. Një vepër dramaturgjike shumë e shkurtër, pra vetëm një akt, por është tepër e dendur me nënkuptime.
Është një studim për njeriun përballë poshtërimit, me heshtjen që është po aq e fortë sa fjalët. Nga ana vizuale dhe skenografike e kam trajtuar shfaqjen si një morsa, duke u dhënë aktorëve shumë pak lëvizje, por duke u lënë vend fjalëve, ku edhe një fjalë e shkurtër ka peshën e madhe të dramës. Pra, në këtë vepër fjala vret më shumë se gjithçka tjetër.”

Në fund, ai thotë se kjo vepër ngre shumë pikëpyetje të cilat pritet të zbulohen.
“Gjatë punës me aktorët, ne nuk jemi marrë vetëm me një mesazh, por me pikëpyetjet që ngre kjo dramë, pikëpyetje të cilave publiku do t’u japë përgjigje gjatë shfaqjes.”
Përpjekjet e më të rinjve për tu bërë pjesë të skenës së madhe të teatrit shqiptar janë serioze dhe koherente. Duke u dhënë atyre hapësirën e duhur nëpër festivale të rëndësishme, skena teatrore shqiptare përfiton freskinë e një brezi të ri, i cili mes shumë dilemash dhe kohësh që ndryshojnë shpejt, ka zgjedhur të përfaqësohet nëpërmjet artit, atij më elitarit, siç është teatri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



