Nga Gazeta Si- Situata e krijuar në jug të vendit për shkak të reshjeve disa ditore ka nisur të stabilizohet.
Sipas njoftimit nga Emergjencat, Vjosa po tërhiqet dhe rrugët po zhbllokohen.
“Gjatë 24 orëve të fundit, të gjitha strukturat e emergjencave civile, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile kanë monitoruar pa ndërprerje situatën e krijuar si pasojë e reshjeve të ditëve në fundit, në disa qarqe të vendit.Në një pjesë të zonave situata është e stabilizuar, ndërsa në Vlorë, Lezhë, Fier, etj. është bërë evakuimi i disa familjeve”, njoftojnë emergjencat.
Niveli i Vjosës arriti më herët në pikën 8.25 metra dhe 10 banesa në fshatin Fitore pranë urës së Mifolit dhe 7 në Novoselë janë përmbytur ndërsa banorët janë evakuuar. Ndërkohë që tokat bujqësore në këtë zonë janë të gjitha nën ujë.
Prurjet e larta të lumit Vjosë gjatë natës kanë shkaktuar rritje të konsiderueshme të nivelit të ujit në fshatin Ferras të bashkisë Fier, duke përmbytur 21 banesa.
Sipas banorëve, dëmet janë të shumta: sipërfaqe të mëdha me ullinj janë nën ujë, shpendë janë rrëmbyer nga vërshimi, ndërsa rezerva ushqimore për bagëtinë është dëmtuar.
Banorët, të trembur nga dalja e mundshme e lumit nga shtrati, kanë marrë masa emergjente për të mbrojtur familjet dhe pasurinë e tyre. Megjithatë, shumica prej tyre nuk i janë përgjigjur thirrjes së autoriteteve për evakuim.
Në Çukë të Sarandës, argjinatura e lumit Bistricë është çarë dhe si pasojë janë përmbytur 5 banesa dhe qindra hektarë tokë bujqësore. Ndërkohë aksi rrugor Delvinë – Muzinë është bllokuar si pasojë e rënies së dherave.
Në Berat, lumi Osum ka dalë nga shtrati duke bërë që të përmbytet pedonalja e qytetit.
Në fshatin Turan të Korçës raportohen përmbytje në dhjetëra banesa për shkak të prurjeve të lumit të Dunavecit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



