Njerez

Dom Ndre Mjedja/ Poeti dhe gjuhëtari që i dha jetë shqipes

Nga Gazeta “SI”- Figura e Dom Ndré Mjedjës zë një vend të veçantë në historinë kulturore, gjuhësore dhe fetare të Shqipërisë. I lindur në Shkodër me 20 Nëntor 1866 , në një familje të varfër të ardhur nga fshati Mjedë, ai u formua në mjediset edukative të qytetit dhe më pas vijoi studimet e mesme e të larta teologjike në disa qendra evropiane, ku u ushqye me kulturë klasike, filozofi dhe gjuhësi. Kthimi i tij në atdhe u shënua nga dy shtylla të pandara: shërbesa fetare dhe përkushtimi atdhetar.

Roli atdhetar dhe kontributi në alfabetin shqip

Pas shugurimit, Mjedja shërbeu famullitar në disa zona rurale, duke u lidhur ngushtë me lëvizjen patriotike të kohës. Në vitin 1901, së bashku me të vëllain, themeloi shoqërinë “Agimi”, që krijoi një alfabet të posaçëm dhe botoi tekste shkollore për përhapjen e shkrimit shqip. Për këtë veprimtari, autoritetet osmane e arrestuan.

Figura e tij madhore u shpalos edhe gjatë Kongresit të Manastirit në vitin 1908, ku u zgjodh anëtar i komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes, një nga ngjarjet më vendimtare të historisë sonë kulturore.

Në vitet e Lëvizjes Demokratike, Mjedja u përfshi edhe në jetën politike, duke u zgjedhur deputet. Por pas dështimit të revolucionit, ai u tërhoq dhe vijoi thjesht shërbesën fetare në Kukël. Në vitet e fundit të jetës, dha mësim në Shkodër, deri në ndarjen nga jeta më 1 gusht 1937.

Dom Ndré Mjedja e nisi veprimtarinë poetike që në rini. Poezia e tij e parë e njohur, “Vaji i bylbylit” (1887), shpreh frymë patriotike dhe mall për lirinë. Deri në botimin e “Juvenilja”-s (1917), ai krijoi një sërë veprash romantike dhe patriotike si “I tretuni”, “Shtegtari”, “Malli për atdhe”, “Gjuha shqype”, “Bashkonju” dhe “Liria”, që pasqyrojnë demokratizimin dhe atdhedashurinë.

Pas Luftës së Parë Botërore, Mjedja shkroi poemat historike “Scodra” dhe “Lissus”, ku rikujton lashtësinë ilire. Në krijimtarinë e tij përfshihen edhe vargje për fëmijë dhe disa shqipërime të realizuara me mjeshtëri.

Veprimtaria e tij shpesh është keqinterpretuar, sidomos nga ata që vinin në dyshim besimin dhe ortodoksinë e tij katolike. Përveç poezisë, ai ka një kontribut të rëndësishëm në letërsinë fetare. Ndër veprat e tij fetare përmenden: “Jeta e Shęjtit Shë Njon Berkmansit” (1888), “Të Pergiámit e Zojës së Bekueme” (1892), “Lumnít e Zojës” (1929), “Devocioni i Zemrës së Jezu Krishtit” (1931), “Katekizmi i Madh”, si dhe ribotimi i 14 ligjëratave të Pjetër Bogdanit me parathënie të posaçme.

Ai shkroi edhe veprën origjinale “Shën Luigj Gonzaga, Projsi i përgjithtë i moshës së ré”, që përmbledh jetën e shenjtit dhe përmban një Letër Apostolike të Papës Piu XI. Një ndër veprat e tij të humbura me vlerë të madhe gjuhësore dhe terminologjike është oficja “Vizari Shpirtënuer”, e përgatitur në bashkëpunim me Atë Benedikt Demën. Gjithashtu, Mjeda la pas një letërkëmbim të pasur si poet, prift dhe gjuhëtar.

Gjuhëtari që i dha dritë shqipes

Kontributi i tij në gjuhësi është i jashtëzakonshëm. Punoi në fushën e gramatikës, leksikut, filologjisë; transkriptoi vepra të autorëve të letërsisë së vjetër shqipe si Bogdani dhe Budi, studioi dialektet, veçanërisht atë të Istries, dhe shqyrtoi tekste të rëndësishme si Perikopet e shek. XIV.

Siç dëshmon Ernest Koliqi, Mjedja do të kishte qenë i vetmi ndër shqiptarët që mund të përpilonte një fjalor historik të gjuhës shqipe, falë njohjes së thellë të etimologjisë, teksteve të vjetra dhe gjuhëve klasike.

“Po t’ishte qénë Dom Ndreu vetëm nji erudit mbledhës citatash klasike apo vetëm nji ligjerues i hollë mbi systemet e ndryshme filozofike, vepra e tij sigurisht do të kishte humbun me tê. Nji tjetër gjâ e bâni të Madh e të padekëshëm: dashunija e stërfuqishme për gjuhë shqipe. Ai njoftës i rrallë i gjuhve të vjetra, ai qi shkruente mjeshtrisht pesë gjuhë të mëdhaja europjane dhe lexonte e kuptonte njâ tri a katër tjera, dashunonte me nji dashuní të njomë e luftarake kët gjuhë të palavrueme t’onë. E dashunonte si Dijetar e si Atdhetar, e dashunonte edhe si Poet. Shkrimtarët e moçem gegë e toskë dhe italo-shqiptarë i studjonte pajadá dhe dinte këthelltas historín e çdo fjale të shqipes. Ai i vetmi ndër ne, po të kishte dashun, mund të përpilonte nji fjaluer historik të gjuhës, sepse përveç përdorimit të saj në popull dhe ndër tekste letrare njifte mirfilli edhe burimin ethimologjik.”

Dom Ndré Mjedja mbetet frymëzim për gjenerata të tëra studiuesish, poetësh, teologësh e gjuhëtarësh që i dha Shqipërisë jo vetëm poezi, por alfabet, terminologji, tekste fetare, studime gjuhësore dhe një model të ndërgjegjes së pastër kombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë