Ngjarje

Moti i keq/ Përmbyten shtëpi në Laç dhe Mat, probleme në Lezhë, Fushë Krujë dhe Vlorë

Nga Gazeta Si- Reshjet e shiut kanë shkaktuar probleme në disa zona, me bllokime rrugësh dhe ndërprerje të energjisë. Situata ka qenë e rëndë në Mat ku një familje është bllokuar në banesë për shkak të përmbytjeve.

Sipas informacioneve, në fshatin Rreth Baz në Mat një banesë është përmbytur ndërsa familja prej 7 anëtarësh është evakuuar.

Në bashkinë Fushë Arrëz janë raportuar ndërprerje të energjisë për shkak të erës së fortë.

Në qarkun e Lezhës, në aksin Lezhë–Shëngjin është rrëzuar një pemë, e cila ka dëmtuar linjat elektrike dhe ndërprerë energjinë. Në rrugën Lezhë–Balldren ka prezencë inertesh.

Probleme raportohen edhe në bashkinë e Kurbinit. Vërshimi i ujit solli probleme në qytetin e Laçit, ndërsa përmbytje raportohen edhe në Gjorm dhe Zheje.

Reshjet e dendura gjatë mëngjesit kanë shkaktuar probleme ku 60 banesa janë përmbytur, 50 në fshatin Zhej dhe 10 në Milot.

Problematike situata paraqitet edhe në Fushë-Krujë, kryesisht në fshatrat Bilaj, Murqinë dhe Mallkuc. Në Murqinë uji ka mbuluar sipërfaqe të mëdha arash.

Në aksin e vjetër Fushë Krujë-Mamurras, në afërsi të qendrës së Borizanës, kanali doli nga shtrati dhe për pasojë bllokoi aksin për disa orë në disa pika. Aktualisht, uji është tërhequr dhe kalimi bëhet me një korsi. Prezencë uji ka edhe në rrugën nga qendra e Fushë-Krujës për në drejtim të Durrësit deri tek ura e Gjoles.

Në Vlorë po ashtu era e fortë ka rrëzuar disa pemë në zonën e Skelës dhe Pyllin e Sodës. Ndërkohë për më shumë se tre orë e gjysmë, trageti i linjës Brindisi- Vlorë nuk ka mundur dot të ankorohet për shkak të erërave të forta dhe dallgëve të larta.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, në 24 orët e ardhshme priten reshje të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar, ndërsa në Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër reshjet do të intensifikohen në formë shtrëngatash. Nga pasditja deri në orët e para të mëngjesit, reshje të shumta priten edhe në Lezhë, Durrës dhe Tiranë, të shoqëruara me shkarkesa elektrike. Parashikohet mjegull dhe shikueshmëri e reduktuar në zona luginore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë