Ngjarje

Kreu i Emergjencave Civile: Reshjet zgjasin deri të shtunën. Mobilizohen qytetet e rrezikuara nga përmbytjet

Nga Gazeta Si- Nga mbrëmja e deri në datën 22 nëntor priten reshje me intensitet të lartë në vend, ku më të mëdha do jenë në veri.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha në një takim në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile se pritet që kjo situatë të nisë në orët e vona të natës.

“Do të kemi një agravim të situatës, i cili nis nga veriu dhe më pas përhapet në verilindje. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka analizuar të gjithë situatën dhe duke nisur nga data 11 nëntor KESH ka filluar që të ulë nivelet në basenin e Komanit dhe basenin e Vaut të Dejës, për të krijuar volume të lira për gjithçka që do të vijë nga prurjet anësore të përrenjve, që është dhe pjesa më e rrezikshme përsa i përket këtyre prurjeve”, tha Balluku.

Parashikohet që të ketë intensitet të lartë në zonën veriore dhe verilindore në reshje, që kalojnë mbi 30 milimetra, ndërkohë që edhe kohëzgjatja e tyre do të jetë pothuajse 48 orë.

Haki Çako, kreu i Emergjencave Civile, tha se deri në datën 22 nëntor është parashikuar mot i keq në vend dhe bashkitë janë mobilizuar.

“Data 18 mund të ketë intensitet të shtuar dhe reshjet të jenë të pranishme në të gjithë territorin”, nënvizoi Çako.

Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu tha se është bërë një shpërndarje e aseteve, mjeteve të gatishmërisë së lartë.

“Kam kërkuar edhe nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, mjetet dhe personeli të dislokohen që sot në terren, veçanërisht në Vaun e Dejës“, shtoi ai.

Vëngu tha se 20 specialistë janë ndarë në grupe dhe janë kryer të gjitha shërbimet e mirëmbajtjes.

“80 teknikë do të mbajnë nën kontroll të gjithë rrjetin kullues, 80 eskavatorë në Lezhë e Shkodër që do jenë në gatishmëri për ndërhyrjet e vazhdueshme. Edhe në Fier janë vënë 16 eskavatorë”, tha Ministri i Bujqësisë, Andis Salla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë