Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni tha se vendi i saj do të bëjë çmos që të përshpejtojë rrugëtimin e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, drejt Bashkimit Europian.
Në një konferencë për mediat me Kryeministrin Edi Rama, pas mbledhjes së dy qeverive, ku u nënshkruan edhe 16 marrëveshje dypalëshe, Meloni tha se integrimi në fakt është një ribashkim i rajonit me Europën.
“Ne kemi qenë promotorë të zgjerimit të Bashkimit Europian në Ballkan. Nuk e konsiderojmë në fakt zgjerim, por një ribashkim të Europës. Nuk e vendosim ne se kush është europian dhe Shqipëria është sigurisht një vend europian. Na takon ne të vendosim rrugëtimin e këtij ribashkimi sa më shpejt të jetë e mundur, pasi është edhe në interesin tonë”, tha Meloni.
Ajo ka komentuar marrëveshjen Itali-Shqipëri për emigrantët. Meloni tha se është një marrëveshje me frymë europiane dhe se Shqipëria po sillet si vend anëtar i BE-së.
Sipas Melonit, shumë u përpoqën ta pengojnë marrëveshjen, por ata do të ecin para.
“Sa i takon sigurisë, fokusi po aq i marrëveshjeve të rëndësishme që do fuqizojnë luftën kundër trafikut të drogës janë hallka të rëndësishme që kalojnë nga një vizon i të përballuarit së bashku të fenomenit të migracionit për marrëveshjen tonë për të cilën unë edhe njëherë do doja të falënderojmë Ramën dhe gjithë popullin shqiptar.
Ajo që u tregua është fakti që Shqipëria sillet si një vend anëtar i BE. Kam gjykuar dhe vazhdoj që të gjykojë se është marrëveshje me frymë të thellë evropiane, migrimi është fenomen mbarë evropian, marrëveshje novatore që ka ngjallur interesin e shumë vendeve të tjera, jo të gjithë arritën ta kuptonin vlefshmërinë e këtij modeli, ne jemi të vendosur të vazhdojmë para”, tha Meloni.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



