Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama u prit në Romë, nga homologia e tij Giorgia Meloni, për të zhvilluar mbledhjen e parë ndërqeveritare mes dy vendeve.
Takimi u mbajt në Villa Pamphili, dhe u drejtua nga dy kryeministrat, në prani të 10 ministrave shqiptarë. Fokusi i samitit është bashkëpunimi në mbrojtje, industri dhe emigracion, ndërsa u nënshkruan 16 marrëveshjeve konkrete që do të thellojnë bashkëpunimin në fusha si siguria, energjia, ekonomia, arsimi profesional dhe mbrojtja civile.
Sipas qeverisë italiane, samiti do të sjellë rezultate të prekshme në fushën ekonomike dhe energjetike, duke i dhënë një dinamikë të re marrëdhënieve dypalëshe që datojnë nga Traktati i Miqësisë i vitit 1995 dhe Deklarata e Partneritetit Strategjik e vitit 2010.
Italia riafirmoi mbështetjen e saj të fortë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke e konsideruar Tiranën një aleat të qëndrueshëm për stabilitetin e Ballkanit dhe Mesdheut.
Marrëveshjet që u firmosën
Marrëveshjet dypalëshe mbulojnë një gamë të gjerë fushash strategjike, si:
-Bashkëpunimi strategjik G2G në fushat e shëndetësisë, energjisë, mjedisit, sigurisë, arsimit dhe inovacionit;
-Siguria kibernetike, përmes një memorandumi mirëkuptimi ndërmjet ministrive të jashtme;
-Mbrojtja civile, me disa marrëveshje për grante dhe hua të buta, mbështetje në pajisje dhe trajnim, si dhe një deklaratë të përbashkët mbi koordinimin institucional;
-Shëndetësia, me projekte për përmirësimin e kujdesit neonatal dhe maternal;
-Mbrojtja dhe bashkëpunimi ushtarak, përfshirë transferimin e mjeteve detare dhe marrëveshje mes kompanive “Leonardo”, “Fincantieri” dhe partnerëve shqiptarë;
-Lufta kundër trafikut të drogës, që përfshin një Memorandum mirëkuptimi të nënshkruar mes Institucioneve të punëve të brendshme respektive
-Zhvillimi ekonomik, përmes instrumenteve të “Cassa Depositi e Prestiti”, “SIMEST” dhe “AIDA”, në mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme shqiptare;
-Kultura dhe kreativiteti, me një marrëveshje bashkëpunimi midis Fondacionit MAXXI dhe institucioneve shqiptare të artit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



