Libra

Panairi i librit / 10 titujt e rinj që sugjerojmë për lexim

Nga Gazeta “SI”- Panairi i librit është në prag. Në datë 12 nëntor në Pallatin e Kongreseve, mbi njëqind shtëpi botuese prezantojnë para lexuesit botimet e reja në harkun e një viti.

I konceptuar si një festë e librit dhe e lexuesve, panairi bën që botuesit të përqendrojnë energjitë e tyre në këtë periudhë të vitit, por edhe lexuesit të mirëfilltë i imponon medoemos një shpenzim të dedikuar për blerjen e disa librave.

Me të drejtë, lart e poshtë thuhet se panairi, më shumë sesa letërsi dhe tituj të mirë, sjell një lloj kakofonie, e cila shpesh bëhet e lodhshme dhe ç’orientuese, për arsye se titujt e rinj janë me mijëra, por mungon edhe orientimi drejt letërsisë së mirë, asaj që me të vërtetë meriton kërshërinë e lexuesit të mirëfilltë.

Në këtë artikull, Gazetasi.al do të përpiqet t’iu japë një ndihmë të gjithë atyre lexuesve që e presin me kureshtje këtë event, por nuk janë të sigurt se çfarë librash të blejnë.

Më poshtë do t’ju sjellim 10 titujt e rinj të këtij panairi, të cilët meritojnë vërtet të lexohen dhe të bëhen pjesë e bibliotekave tuaja.

1. Georgi Gospodinov – Kopshtari dhe vdekja (Botime Toena)


I cilësuar si gjeniu i letërsisë së sotme evropiane, Gospodinov vjen në shqip me këtë roman të ri, dedikuar babait të tij. “Im atë ishte kopshtar. Tani është kopsht” – nis rrëfimin Gospodinov, duke na parapërgatitur që në fillim se romani do të ketë në qendër një marrëdhënie sa të dashur aq edhe komplekse mes babait dhe birit. I përkthyer në shumë gjuhë të botës, ardhja në shqip e këtij romani nga Milena Selimi, nga gjuha e parë , ajo bullgare është një garanci se do ta shijojmë këtë roman në të gjithë përmasën e tij. Mos harroni, Selimi me “Kohëstrehim”, rrëmbeu dy nga çmimet më të rëndësishme të përkthimit në Shqipëri: atë të Panairit të Librit 2024 dhe çmimin “At’ Gjergj Fishta” në Lezhë. Në mos qoftë kjo një garanci, atëherë çfarë tjetër mund të jetë?

2. Jonathan Haidt – Brezi i ankthit (Botime Pegi)


Një libër i domosdoshëm jo vetëm për prindërit, por edhe për vetë brezin Z të cilit ky libër i dedikohet. Një manual shterues se si teknologjia e ka vrarë marrëdhënien njerëzore të këtij brezi duke i shndërruar ata në individë të inkapsuluar brenda një bote sa të pafundme e po aq të rrezikshme. Në përkthimin e Arlind Fazliut, ky libër tashmë e ka nisur rrugëtimin e tij te lexuesi. Për të gjithë të pavendosurit dhe kryesisht prindërit, ky libër do të jetë një vlerë e shtuar në çdo bibliotekë, pasi do t’ju bëjë të kuptoni se çfarë fshihet pas fëmijëve tuaj.

3. Javier Cercas – Anatomia e një çasti (Botime Dudaj)

Javier Cercas është mbase shkrimtari spanjoll më i njohur i dekadës së fundit. Romanet e tij, herë autobiografikë e herë historikë, lidhen ngushtë me Spanjën dhe historinë e saj. I përkthyer prej kohësh në shqip dhe prezent edhe në Shqipëri disa herë në takime me lexues, Cercas është njëkohësisht shkrimtar i madh, por edhe tejet modest, çka e bën atë ndër më të kërkuarit e viteve të fundit nëpër panaire dhe auditore kudo në Evropë. “Anatomia e një çasti” sjell të gjallë dëshminë për grushtin e shtetit të vitit 1981 në Spanjë, duke lënë këtë radhë anash trillimin dhe duke na sjellë një roman në kufijtë e librit historik.

4. Balil Gjini – Egrushja (Botime Albas)


Autentik dhe i pazakontë në letërsinë shqipe, Balil Gjini mbetet një ishull i cili rishfaqet herë pas here në horizontet letrare për të na thënë se është aty, i palëvizshëm dhe plot frymëzim. Gjuha e pastër, e rrjedhshme, gati-gati klasike, e bën Balil Gjinin një prej shkrimtarëve më të veçantë të letërsisë shqipe, i cili rrëfen por edhe përcjell rrëfime dhe ndodhi të zakonshme të sjella në mënyrë të pazakontë. Nëse doni të njihni më tepër Balil Gjinin dhe rrëfimtarinë e tij, lexoni “Egrushja”, një roman atipik dhe kaq i domosdoshëm në një letërsi thuajse të uniformizuar.

5. Shpëtim Selmani – Askush nuk e meriton zemërimin tim (Botime Onufri)

Ironik, kritik dhe thuajse tragjik, Selmani është një nga shkrimtarët më autentikë të letërsisë shqipe sot. Rrëfimet e tij bazohen në jetën e tij, duke qenë thellësisht autobiografike. Ngjarjet e zakonshme të jetës së tij prej shkrimtari vijnë përmes romanit , të rrëfyera në mënyrë të jashtëzakonshme, duke e shndërruar rëndomësinë e akteve të përditshme në një revoltë, gati si një lojë kukafshehtasi mes individit dhe sistemit.

Aktor në profesion, çmimi evropian i letërsisë në vitin 2021 i dha atij dimensionin tjetër: atë të shkrimtarit. Nëse doni të lexoni sesi dikush e përbuz sistemin dhe njëkohësisht vuan pasojat e luftës së Kosovës si një i rritur tashmë, lexojeni Selmanin – është tërësisht ishull. Proza e tij nuk ka rregulla, por ka thelbin e revoltës, atë për të cilën të gjithë kemi nevojë.

6. Visar Zhiti – Dritë që ecën zbathur (Botime Onufri)


Nuk ka sesi të mungojë poezia në këtë panair dhe kush më mirë se Visar Zhiti mund të jetë qëllimi për dashamirësit e poezisë. I rikthyer pas njëzet vitesh me një botim të ri në poezi, Zhiti sjell për lexuesit poezinë e mirë shqipe, atë me të cilën ne krenohemi. Verdikti i dhënë që në titull na përgatit se poezitë e këtij vëllimi sjellin dritë dhe shpresë të rrëmbyer nga vitet e errëta të diktaturës, të cilën autori e vuajti në asht. Lexoni poezitë e Zhitit, por me kujdes, sepse janë si ilaçi: çdo natë nga pak, që magjia dhe shërimi të jenë të ngadalta.

7. Ardian Vehbiu – Në atë vend (Botime Albas)

Ai e njeh mirë gjuhën dhe po ashtu rrëfimtarinë; në këtë mënyrë Vehbiu ngjan me një xhongler të fjalëve që i vendos si të dojë dhe ku të dojë. Eksperimental me prozën e tij, këtë radhë vjen me një roman mbi udhëtimet imagjinare, por që qartazi janë të bazuara në një realitet të njohur për të gjithë ne. I athët gati në aciditet, Vehbiu provokon në të gjitha mënyrat (është zeja e tij dhe mirë bën), herë me prozë e herë me artikuj të ndryshëm të cilët janë një kontribut i jashtëzakonshëm në debatin publik, i cili duket se prej kohësh është fikur.

Vehbiu përpiqet ta mbajë gjallë pra, jo vetëm nëpërmjet “Peizazheve”, por edhe me prozën e tij fiksionale, e cila me siguri vlen të lexohet dhe të komentohet. Nëse jeni njeri i mirë dhe me shumë dilema në vetvete, lexoni Vehbiun që të “mëkatoni” pak më shpesh. Si? Duke dyshuar në gjithçka. E sugjerojmë fort këtë libër.

8. Olsi Lelaj – Mish dhe kocka (Botime Berk)


Olsi Lelaj është padyshim një nga antropologët më të zotët në hapësirën shqiptare. Referimet e tij janë shumë interesante, aq sa ai ligjëron mbi njeriun dhe habitatin e tij në situata dhe vendndodhje të ndryshme, me një gjuhë dhe saktësi mbresëlënëse, saqë shpesh harrojmë se ai flet për ne, shqiptarët. Libri i ri “Mish dhe kocka” është një studim mbi gjurmët e kohës politike në trupin e njeriut dhe sesi reflektohet kjo kohë duke ngjizur imazhe dhe akte të përjetshme në lëkurë dhe mish. E kishit menduar më parë këtë qasje? E di që jo, ndaj lexoni Lelajn për të kuptuar sesi politika shpesh është jo vetëm asfiksuese, por edhe frymëzuese.

9.Ylljet Aliçka – Gjëra që ngjasin (Botime Mediaprint)

Nëse doni të lexoni romane me tema serioze të trajtuara me sarkazëm dhe plot humor, lexoni Ylljet Aliçkën. Mjeshtër i sarkazmës dhe ironisë, ai sjell në këtë roman temën sensitive të ngujimit dhe gjakmarrjes, por në një tjetër kontekst: atë të spekullimit dhe trillimit të një ngjarjeje që nuk ekziston.

Fundin po ua lë ta zbuloni vetë, por jini të sigurt se do qeshni herë pas here me vete dhe në fund sigurisht do reflektoni për fenomene të cilat kanë ekzistuar dhe ekzistojnë, edhe nëse jo, dikush do t’i shpikë patjetër. Emër tashmë i konsoliduar i letrave shqipe, i përkthyer në mbi pesëmbëdhjetë gjuhë, Aliçka nuk zhgënjen asnjëherë. Fundja, a nuk është mjeshtëri ta bësh lexuesin të qeshë? Kujdes, me ngjarje shumë serioze. Zbulojeni vetë.

10. Flogerta Krypi – Në aeroport nuk shiten bibla (Botime Argeta)

Flogerta është një nga zërat më të pastër dhe të sinqertë të brezit të ri të shkrimtareve gra në Shqipëri. Me mbi 10 libra tashmë në një moshë relativisht të re, ajo është një nga shkrimtaret më të dashura të brezit të ri e po aq autentike.

E çrregullt në biseda, e drejtpërdrejtë dhe stoike, ajo shpesh letërsinë e saj e “bërtet” në auditore dhe kudo ka takime me lexues dhe dashamirës. Pas përvojës së fundit me një libër për fëmijë, dedikuar të birit, Flogerta rikthehet te letërsia për të rritur me një roman që trajton tema universale nga një kënd krejt personal. Lexojeni Flogertën për të kuptuar shpirtin rebel dhe po aq të ndjeshëm të një shkrimtareje e cila jetën e saj e ndan mes Shqipërisë, Gjermanisë dhe Londrës. Është garanci e letërsisë së mirë.

Këto janë dhjetë sugjerimet tona për blerjet e këtij panairi. Kriteret kanë qenë të qarta: pavarësisht zhanrit, moshës, përkatësisë fetare apo bindjeve politike, në thelb është letërsia e mirë, e përkthyer por më së shumti shqiptare, e cila meriton vërtet vëmendjen e lexuesit. Me kast nuk janë vënë emrat e konsoliduar të letërsisë shqipe si Besnik Mustafaj, Agron Tufa, Mira Meksi apo Ben Blushi, të cilët tashmë e kanë lexuesin e tyre besnike që i ndjek dhe i lexon gjithmonë. Ndaj, me bindjen se pas panairit do të na falënderoni për këto sugjerime, ju urojmë blerje të mbara, por më kryesorja: lexime të mbara, në mënyrë që libri i blerë sivjet të lexohet para se t’i mbërrijë panairi i ardhshëm. Librat do t’ju marrin inat nëse ndodh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë