Muzike

Festivali i Këngës në RTK/ Kosova kërkon pjesëmarrjen në Eurosong

Nga Gazeta “SI”- Sonte në orën 21:00 nis edicioni i tretë i Festivalit të Këngës në RTK, i cili do të zgjasë për tri net me pjesëmarrjen e artistëve të njohur dhe talenteve të reja. Në garë do të prezantohen 20 këngë nga artistë brenda dhe jashtë Kosovës, dëshmi e interesimit të gjerë për këtë ngjarje kulturore.

Gjatë provave përfundimtare, drejtori i festivalit, Rilind Gërvalla, theksoi se të gjitha përgatitjet janë realizuar nga ekipet e RTK-së, nga dizajni e grafika deri te skena dhe skenografia, e cila këtë vit sjell një ndërthurje të elementeve tradicionale me ato moderne. Ai bëri të ditur se edicioni i sivjetshëm ndjek një qasje të re organizuese, me prodhim tërësisht të brendshëm të RTK-së.

“Në tri netët festive në kryeqytet do të dëgjojmë zërat e të rinjve që lindin nga tradita, por shkojnë drejt së ardhmes,” u shpreh Gërvalla, duke theksuar edhe bashkëpunimin me Organizaten Evropiane të Transmetuesve (EBU). Sipas tij, EBU po e ndjek nga afër festivalin dhe vlerëson përgatitjet e Kosovës për pjesëmarrje në garën evropiane të këngës.

“E kemi dëshmuar se Kosova është gati për ‘Euro Song’,” tha ai, duke shtuar se përkundër sfidave rajonale, EBU vlerëson progresin e televizionit publik kosovar në kushte të vështira financiare.

Drejtori artistik, Florent Boshnjaku, u shpreh se festivali tashmë është shndërruar në një platformë të rëndësishme artistike dhe teknike për skenën muzikore vendore. Ndërsa skenaristi i edicionit të tretë, Genc Salihu, bëri të ditur se sivjet fokusi do të jetë te muzika, me më pak elemente dramaturgjike dhe me një retrospektivë të historisë së këngës në Kosovë. Këtë vit do të ndahet edhe Çmimi për Vepër Jetësore, “Okarina e Artë”.

Edicioni i tretë do të moderohet nga Rina Krasniqi dhe Dukagjin Podrimaj. Festivali mbahet më 6, 7 dhe 8 nëntor në Prishtinë, ku 20 artistë do të konkurrojnë për pesë çmimet kryesore, ndërsa një artist do të nderohet me “Okarinën e Artë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë