Drejtësia

Hetimet për 21 Janarin, Lulzim Basha pyetet mbi 1 orë në SPAK: Duhet të ruaj sekretin hetimor

Nga Gazeta ‘Si’– Për herë të parë, që kur SPAK nisi hetimet për 21 Janarin, kreu i demokratëve euroatlantikë, Lulzim Basha, u paraqit në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, pasditen e sotme.

Pas rreth 80 minutash dëshmi në SPAK, Basha tha për mediat se u thirr “në cilësinë e personit që ka dijeni për një çështje që është në hetim”. 

Basha u ndal shkurtimisht përpara gazetarëve, duke theksuar se për momentin nuk mund të japë detaje për shkak të hetimeve që po zhvillohen.

“Duhet të ruaj sekretin hetimor, një herë tjetër do të kem konferencë për shtyp”, është shprehur Basha shkurtimisht për mediat.

Basha ka qenë ministër i Brendshëm më 21 janar të vitit 2011, kur gjatë një proteste para kryeministrisë u vranë nga plumbat e shtetit 4 protestues.

Vendimi i Gjykatës së Strasburgut që e quajti qartë krim shtetëror i hapi rrugë hetimeve nga SPAK, duke regjistruar procedimin penal me datë 15 korrik 2024, edhe pas një vendimi të Gjykatës së Lartë, për 3 vepra penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim.

Familjarët e 4 dëshmorëve, Ziver Veizi, Aleks Nika, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj kërkojnë të dënohen urdhëruesit dhe zbatuesit e kësaj vrasje shtetërore në mes të ditës, në mes të bulevardit përpara kryeministrisë 14 vite më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë