Ngjarje

Krimi te ‘Komuna e Parisit’ / Picieri që vrau kolegun (për proshutën), i dënuar më parë

Gazeta Si – Filip Shehu, autori i vrasjes me thikë të Indrit Ismaillari një ditë më parë në lokalin ku të dy punonin, ka qenë edhe më parë i dënuar për “posedim të armëve të ftohta”.

Policia njoftoi se pas arrestimit të Shehut ka mundur të gjejë edhe thikën me të cilën dyshohet të jetë kryer krimi.

Ndërsa deri më tani hetimet kanë zbuluar se ngjarja ka ndodhur për motive banale, për shkak të një proshute që duhej të shërbehej te klientët e restorantit, pra një konflikt për mosmarrëveshjen në punë.

Megjithatë, Filip Shehu ka deklaruar në polici pas vrasjes se e kishte vrarë kolegun e tij për shkak se e bullizonte vazhdimisht.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, e gjithë skena e krimit ka ndodhur për më pak se një minutë, ndërsa momentet e ngjarjes janë fiksuar nga kamerat e sigurisë së restorantit.

“Jam ndjerë i ngacmuar gjithë kohës dhe nuk duroja dot. Kishim debate të vazhdueshme për punën, por edhe më ngacmonte. Viktima më tha: ‘Mos merr këtë proshutë që është në frigorifer, merr proshutë të re’. Ai shkoi të merrte proshutën e re dhe aty u zumë”, ka deklaruar 43-vjeçari.

Nga këqyrja e pamjeve filmike rezulton se gjatë debatit verbal, viktima hap frigoriferin për të marrë një kuti proshute.

Në atë moment, pas një shkëmbimi fjalësh të ashpra, autori merr një thikë kuzhine dhe e godet tre herë, një herë në qafë dhe dy herë në bark. Ismaillari ka humbur jetën pak minuta më vonë, pavarësisht përpjekjeve të stafit për ta ndihmuar.

Stafi i restorantit, i marrë në pyetje nga policia, ka deklaruar se F.Sh ishte një person i mbyllur dhe i ftohtë, që rrallë komunikonte me kolegët.“Ishte tip që nuk fliste shumë, por punonte. Rrinte i vetëm”, ka thënë një nga punonjësit e tjerë.

Autori, 43 vjeç, punonte prej tre muajsh si ndihmës picier në restorant, ndërsa viktima, kishte pesë vite që ishte pjesë e lokalit dhe njihej si kryekuzhinier nga stafi.

Sipas burimeve, 43-vjeçari ishte larguar prej disa kohësh nga familja dhe jetonte vetëm në një banesë me qira në Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë