Ka ndodhur

Sherr mes dy punonjësve të lokalit në Tiranë, picieri vret me thikë kuzhinierin

Gazeta Si – Një sherr mes dy punonjësve të stafit të një bar rastoranti në zonën e “Komunës së Parisit” në Tiranë, ka përfunduar në tragjedi.

Ngjarja ka ndodhur në një lokalet e njohura të kësaj zone, ku pas një konflikti, picieri Filip Shehu, 41 vjeç, ka goditur me thikë kuzhinierin, Indrit Ismaillari, 34 vjeç, i cili ka ndërruar jetë për shkak plagëve të marra në trup.

Autori i vrasjes është arrestuar nga policia, ndërsa burime paraprake bëjnë me dije se mes tij dhe viktimës ka pasur konflikte prej kohësh. Pas krimit, autori, Filip Shehu ka pretenduar se Indrit Ismaillari e bullizonte.

Autori i krimit arrestohet nga policia

Palët dyshohet se kishin konflikte herë pas here, pasi, siç mësohet, autori e akuzonte viktimën se e bullizonte vazhdimisht.

34-vjeçari mbeti fillimisht i plagosur dhe u dërgua me urgjencë në spital. Fatkeqësisht, ai nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë.

“Rreth orës 15:30, në zonën e Komunës së Parisit, në ambientet e një lokali, shtetasi F. Sh., rreth 41 vjeç, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës shtetasin I. I., rreth 34 vjeç, të dy punonjës të lokalit. Shtetasi I. I. ka humbur jetën në spital, si pasojë e plagëve.  Falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë, autori i dyshuar, shtetasi F. Sh., është kapur dhe shoqëruar në Komisariat, menjëherë pas ngjarjes”, –  njofton policia.

Grupi hetimor vijon punën për përcaktimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë të rastit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë