Nga Gazeta Si- Votimi për projektligjin “Për gjuetinë” është shtyrë pas kërkesës së anëtarëve demokratë si fillim e më pas dhe të socialistëve.
Sofjan Jaupaj, ministri i Mjedisit tha në Komisionin për bujqësinë se ky projektligj është kryer në konsensus me Shoqatat e mjedisit.
“Gjatë viteve të moratoriumit ka pasur përmirësim të faunës në Shqipëri dhe shoqatat e mjedisit janë dakord që ka ardhur koha që të lejohet gjuetia”, tha ai.
Por Jaupaj është kundërshtuar fillimisht nga Bledjon Nallbati i cili tha se konsultimi publik është bërë vetëm nga Ministria e Mjedisit dhe, sipas tij, është e nevojshme që të bëhet një konsultim edhe në komision, para se të vendoset për votim.
“Duhet që të bëhet konsultim publik me Shoqatat e gjuetarëve, mbrojtjes së mjedisit apo dhe përfaqësues të pushtetit vendor duke qenë se do jenë aktorë. Nuk na kushton asgjë që të thërrasim grupet e interesit për të dëgjuar pretendimet e tyre”, tha Nallbati.
Me të njëjtin mendim ishin dhe anëtarët të tjerë të komisionit, duke kërkuar më shumë kohë dhe konsultime me grupet e interesit para se të miratojnë projektligjin.
Sajmir Korreshi, deputet i Partisë Demokratike tha se është shumë e rëndësishme që të ketë përfaqësues të pushtetit vendor, duke qenë se janë aktorët kryesorë.
Në përfundim të debatit, kryetari i Komisionit Blendi Klosi tha se Shoqatat mjedisore kanë kërkuar që të jenë pjesë të diskutimeve.
Kështu, votimi për projektligjin e gjuetisë do të bëhet pas diskutimeve me grupet e interesit.
Ndryshimi më i madh që ky projektligj sjell është kalimi i kompetencave nga strukturat qendrore tek bashkitë.
Ndryshe nga më parë që gjuetia menaxhohej nga drejtoritë e shërbimit pyjor, tani përgjegjësinë e plotë do ta kenë njësitë e qeverisjes vendore.
Kjo është vendosur pasi autoritetet lokale e njohin më mirë situatën nga afër, sipas Jaupajt.
Projektligji vendos gjithashtu dhe një koncept të ri, atë të menaxhuesit të zonës së gjuetisë. Bëhet fjalë për persona fizikë ose juridikë që do të përzgjidhen me anë të konkurrimit publik dhe do të marrin përgjegjësitë për një zonë gjuetie.
Ata do të lidhin kontratat qiraje me bashkitë për një periudhë 10-vjeçare.
Projektligji përcakton disa lloje të veçanta gjuetie.
Gjuetia reduktuese, ajo që lejohet vetëm kur një specie është shtuar aq shumë sa prish ekuilibrin e sistemit, gjuetia për qëllime kërkimore shkencore dhe vrasja emergjente në raste ekstreme kur kafsha përbën rrezik.
Në projektligj thuhet se ndalohet përdorimi i kurtheve, eksplozivëve, rrjetave dhe grepave të helmuara.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



