Nga Gazeta Si- Katër persona janë vënë në pranga lidhur me ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në ambientin e jashtëm të një lokali në Manëz të Durrësit, ku në një përplasje të tipit “Far West”, u vranë me armë zjarri 33-vjeçari Flori Paluçi dhe 23-vjeçari Aranit Kurti.
Policia thotë se u arrestuan Ergi Kadiu 25-vjeç, Erald Cani 21-vjeç, si dhe dy vëllezërit Taulant dhe Emirjan Beqja, 37 dhe 34-vjeç, të gjithë të akuzuar për mos kallëzim krimi.
Në kërkim përveç Daniel Pepës, autorit të vrasjes së Paluçit, është shpallur edhe një 30-vjeçar me akuzën e armëmbajtjes pa leje, moskallëzim krimi si edhe përkrahje e autori të krimit.
Personi që shikoni në foto (poshtë), është Daniel Pepa, i cili vrau Paluçin pas një sherri në lokal për një kafe, pasi kamerieri iu tha se ekspresi është i fikur dhe nuk mund t’ua shërbente.

Sipas policisë, e cila ka zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes, 21 vjeçari Daniel Pepa ka hyrë në lokal rreth orës 1:40 të mëngjesit, ku i ka kërkuar kamerierit që t’i bënte një kafe.
Ky i fundit i është përgjigjur se ekspresi ishte fikur që në orën 00:00. Në këtë moment Pepa ka shpërthyer në ofendime drejt kamerierit, çka ka bërë që në mbrojtje të këtij të fundit të dilte 33-vjeçari Flori Paluçi, i cili shoqërohej në lokal nga personi i arrestuar sot, Erald Cani, 25 vjeç.
Pas konfliktit verbal mes tyre, Daniel Pepa është larguar me makinë nga lokali dhe është kthyer më pas me shokun e tij, Aranit Kurtin dhe të arrestuarin tjetër, Egi Kadiu, 21 vjeç.
Gjatë tentativës së tre të rinjve për të hyrë në lokal me forcë, ka dalë Flori Paluçi i cili ka qëlluar me armë zjarri në tokë.
Në këtë moment, Daniel Pepa ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar drejt Paluçit duke e lënë të plagosur fillimisht.
Flori Paluçi më pas ka qëlluar drejt Aranit Kurtit, duke e lënë të vdekur, i cili më herët e kishte goditur me grusht në fytyrë dhe drejt Daniel Pepës.
Mes kësaj vorbulle të shtënash, Daniel Pepa, ka hapur zjarr vetëm 1 herë dhe ka qëlluar pas shpine Flori Paluçin, i cili pasi ka kryer disa lëvizje të pavetëdijshme është rrëzuar dhe ka gjetur vdekjen.
Ndërsa Daniel Pepa u largua nga vendngjarja i ndihmuar nga shoku i tij G.A. Policia po ushtron kontrolle për kapjen e tyre.
“Nga hetimet e kryera deri tani ka rezultuar se shtetasi D. P. ka hyrë në lokal dhe për motive të dobëta, është konfliktuar verbalisht, me kamerierin e lokalit dhe me shtetasin F. P. (i cili shoqërohej në lokal, nga disa shtetas, ndër ta, i arrestuari E. C.). Pas konfliktit verbal, shtetasi D. P. është larguar me automjet, nga ambienti i lokalit, ku është kthyer menjëherë më pas, i shoqëruar nga shtetasi i arrestuar E. K. dhe nga shtetasi A. K.. Gjatë tentativës së tre shtetasve, për të hyrë në lokal, ka dalë nga lokali, shtetasi F. P., i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në tokë. Në këtë moment shtetasi D. P. dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të shtetasit F. P., të cilin e ka plagosur, dhe ky i fundit ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të shtetasve D. P. dhe A. K. (që dyshohet se e ka goditur me grusht, në fytyrë, shtetasin F. P.). Si pasojë u vranë shtetasit F. P. dhe A. K..”, thuhet në njoftimin e policisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



