Gazeta Si – Mustafa Martinaj, babai i Ervis Martinajt ka kërkuar shpalljen zyrtarisht si person të zhdukur të djalit të tij, i cili ka humbur çdo kontakt fizik me familjen e tij prej më shumë se 3 vjetësh.
Babai i tij ka bërë kërkesën pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë në një shkresë zyrtare.
“Shtetasi M.Martinaj kërkon pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë shpalljen të zhdukur të shtetasit Ervis Martinaj i datëlindjes 6.10.1982, lindur në Burrel dhe banues në Fushë-Kuqe, Patok, Kurbin”, thuhet në kërkesën e botuar në faqen zyrtare të gjykatës së Lezhës.
I konsideruar si një ndër njerëzit më të shumëkërkuar në vend, Ervis Martinaj u denoncua i zhdukur nga familjarët në gusht të vitit 2022, ndërsa fati i tij mbetet i panjohur.
Gjithçka ndodhi pas dëshmisë së Nuredin Dumanit, i cili deklaroi se Martinaj i kishte paguar 500 mijë euro për eliminimin e Indrit Dokles.
Megjithatë pavarësisht hetimeve që zhvillohen prej më shumë se 3 vitesh, asgjë nuk dihet për fatin e të ashtuquajturit “mbreti i lojërave të fatit”.
Ndaj Martinajt ka dy urdhërarreste nga SPAK, ndërsa përgjatë viteve, ka patur kontrolle të shumta nga policia në disa banesa në zonën e Shijakut, Durrësit e Vlorës.
Po ashtu, SPAK ka sekuestruar pasuritë dhe llogaritë bankare të Martinajt dhe të afërmve të tij që prej vitit 2000. Në sitë gjithashtu kaluan edhe pronat e luajtshme dhe të paluajtshme të tyre, ku SPAK arriti të identifikojë një banesë në Surrel e blerë në letra nga një person tjetër, por që pas dëshmisë së tij, rezultoi se ishte blerë realisht nga Ervis Martinaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



