“Agritektura” është fjala që masivizohet me shpejtësi, sidomos në vendet e zhvilluara. Vetë kjo fjalë është produkt i kombinimit mes agrikulturës, teknologjisë dhe arkitekturës për të rritur e prodhuar fruta e perime në zonat urbane.
Bëhet fjalë për një metodë jo dhe aq të padëgjuar të prodhimit të kulturave bujqësore, por që po përhapet me shpejtësi, sidomos në vendet skandinave, që kanë marrë flamurin e pionerëve. Suedia është shtëpia e Plantagon, një fermë gjigante e ndërtuar në një nga lagjet e qytetit Linkoping.
Plantagon nisi që në 2008 si eksperimentnga Hans Hassle. Testimet e para rezultuan të pasuksesshme edhe për shkak të mungesës së teknologjisë së nevojshme për t’u siguruar bimëve ndriçimin, ujitjen dhe ajrosjen e nevojshme për t’u kultivuar. Por, me zhvillimin e teknologjisë, sidomos asaj LED gjërat ndryshuan.
Sot, ferma e ndërtuar në kushtet e qytetit shihet si një histori suksesi. Godina e qelqtë disakatëshe është harminizuar me pjesën tjetër të qytetit, por ndryshe nga shumë godina të tjera në të nuk ka zyra kompanishë e biznesesh të mëdha, por bujq e fermerë që kultivojnë që nga lakra, shalqinjtë, domatet, trangujt, sallatë jeshile e të tjera prodhime, që deri dje ishin ekskluzive të zonave rurale.
“Kjo do të jetë ferma më e përparuar në qytete”, thotë Oëe Pattersson, kreu ekzekutiv i Plantagon.

Në një intervistë për “The Huffington Post”, Petterson flet për një avantazh të madh të fermave në qytet në krahasim me fermat tradicionale. Avantazhi i parë, thotë ai, është afërsi me konsumatorët, çka ul thuajse në zero kostot e transportit dhe ruajtjes nëpër dhoma frigoriferike. Avantazhi i dytë është se frutat e perimet e rritura përmes dritës artificial kërkojnë më pak ujë për të dhënë të njëjtën sasi prodhimi me frutat e perimet e mbjellura në ara dhe në fund fare, janë një mushkëri e shtuar për zonat urbane.
Nga analizat e autoriteteve suedeze, produktet e Plantagon nuk kanë asnjë dallim nga produktet e prodhuara në fshat, madje në disa raste kanë rezultuar më të freskëta dhe me vlera ushqyese më të larta.
Analizat kryhen për të hequr shqetësimin e konsumatorëve se ndriçimi artificial LED ndikon negativisht tek të mbjellat. Por, Plantagon thotë se e ka zgjidhur këtë problem dhe përmes arkitekturës dhe teknologjisë, në impiantin e ngritur prej saj bimët marrin vetëm 1 për qind të ndriçimit LED, aq sa është edhe sasia e mjaftueshme që ato të kryejnë procesin e fotosintesëz, ndërsa oksigjeni i çliruar shfrytëzohet nga sistemi i ajrit të kondicionuar në godinë.
“Kjo metodë është jo vetëm efikase, por edhe ekonomike e me leverdi financiare si për ne, ashtu edhe për pronarët e ndërtesave me të cilët ne synojmë të bashkëpunojmë në të ardhmen për të zgjeruar fermën tonë”, thotë Petterson.
Synimi dhe plani afatshkurtër i Plantagon është zgjerimi me një hektarë ferma, nga 6 dynym që ka aktualisht.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




