Drejtësia

Dëshmon në GJKKO vëllai i ‘Rrumit’: Mbeti invalid nga atentati, të akuzuarit nuk i njoh!

Gazeta Si – Vullnet Muça, vëllai i Aleksandër Lahos ose siç njihet ndryshe “Rrumi i Shijakut”, ka rrëfyer në gjykatë versionin e tij rreth atentatit ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, ku mbeti i vdekur shoferi Andi Maloku.

Ai shprehet se nga plagosja e saj kohe, Aleksandër Laho, i shpallur në kërkim për disa vepra të rënda penale, sot është thuasje invalid.

Muça, i arrestuar për tjetërsim pronash, ka deklaruar se shtëpitë e tyre janë ngjitur me atë të Andi Malokut, teksa sa i përket ish-prokurorit, ai ka treguar rreth njohjes që ka pasur me të.

Ai ka treguar se kur i vëllai u plagos nga atentati i 1 nëntorit 2019 në mbikalimin e Shkozetit, e mori vesh nga lajmet në televizion ndërsa shton se në atë kohë nuk kanë pasur konflikte të hapura me askënd.

Vëllai i Lahos tregon se me ish-prokurorin Arjan Ndoja është takuar 2-3 herë përpara ngjarjes e disa herë më pas.

Muça shton se nuk ka asnjë njohje me dy të pandehurit Plaurent Dervishaj e Julian Meçe, si dhe as me emrat e tjerë të botës kriminale që përmenden në gjykatë.

“Nuk i njoh. Kam dëgjuar si emër Plaurentin, se të dy nga Durrësi, por s’kam lidhje me të. Aleksandër Lahon e kam vëlla. Në 2019 e kanë plagosur, e kam parë nga televizori, isha në palestër. Më mbrapa mora vesh që ka qenë në mjet me Andi Malokun, Arjan Ndojin. Po vinte nga rruga e plazhit. Pasi shkova në spital na ra si bombë se me këto palë nuk kemi pasur asnjë konflikt, pse u bë, qysh u bë. Sepse ai ka qenë shumë i aksidentuar, edhe sot është gati invalid. Ai thotë na kanë gjuajtur nga mbrapa, dhe një plumb e ka kapur në kokë, andaj ai s’mban mend asgjë. Doktorët thonë ka pësuat traumë”, tregoi Muça.

Dëshmitari tha se familja e tij ishte përpjekur të mësonte të vërtetën, përtej punës që po bënte drejtësia.

“Informacionet më të detajuara i ka shteti. Nuk mund ta di se nuk kemi pasur njeri më para. Kanë ardhur njerëz për vizitë. Arjan Ndojën e kam takuar nja 2-3 herë. Ka thënë t’ia lëmë kohës, se nuk e dinim nga na kishte ardhur. Me familjen e Andi Malokut njihemi si bashkëfshatarë”, vijoi ai.

I pyetur nga avokati i Dervishajt, se përse kishte mbërritur i shoqëruar nga policia në sallë, dëshmitari tha: “Më kanë dhënë ca dokumente. Jam arrestuar për punë ca mesazhesh, punë pronësie”.

“Bashkim Haxhinë e njoh si emër në televizor. Nuk jam marrë më falsifikim të pronësisë. Janë dyshime, nuk është e provuar. Plaurent Dervishin e njoh si qytetar Durrësi, si kontingjent kriminal. Nga gojëdhënat thuhet se ka patur grup kriminal, por nuk më ka interesuar fare. Aldo Avdylin nuk e njoh. Nuk di a e njeh vëllai. Astrit Avdylin e njoh si çam nga Shijaku. Enea Kumen nuk e njoh. Alfred Dokën, nuk e njoh, nuk e kam idenë fare. Duhet me pyet vëllain a i njeh. Ermir Dedjan, mora vesh që kishte fisin aty nga televizori. Me Edmond Çekiçin kurrë s’kam pasur konflikt. Ermir Bregun nuk e njoh fare. Nuk kam komunikuar me Aldo Avdylin për ta vrarë. Ilir Kokalarin, kurrë se kam dëgjuar. Arjan Ndoja s’e di pse vinte në Sukth, nuk e mbaj mend ekzaktësisht sa vjet e njoh. Andi Maloku përfundoi si shofer nga Arjani. E di gjithë njerëzimi”, ka shtuar ai më tej.

Ndër të tjera, Vullet Muça mohon të jetë përfshirë në falsifikimin e dokumenteve për çështje pronësie në zonën e Gjirit të Lalëzit.

Në këtë dosje hetimore, SPAK thotë se ka dokumentuar skema kriminale të “Rrumit të Shijakut” me bandat e Durrësit e të Shijakut, i cili jepte prona në këmbim të ememinimit të kundërshtarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë