Drejtësia

Vrasja e shoferit të Arjan Ndoj, pajtuesi i gjaqeve: Familja Rraja bëri be në Kuran që nuk ishte e përfshirë

Gazeta Si – Familja e Redian Rrajas, i dënuar me burg përjetë, ka tentuar të shuajë hasmërinë përmes zakoneve të pajtimit të gjaqeve me familjen e Andi Malokut, shoferit të ish-prokurorit Arjan Ndoj, që u vra gjatë një atentati me armë ndaj këtij të fundit dhe Aleksandër Lahos (Rrumit të Shijakut) në nëntor 2019.

Të dhënat dolën gjatë dëshmisë së Beqir Bojas, pajtues gjaqesh në gjyqin ndaj Plaurent Dervishajt e Julian Meçes për atentanin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj.

Dëshmitari Beqir Boja i tha gjykatës se në vitin 2019 kishte jetuar në Kamëz dhe se kishte  qenë kryetari i këshillit të komunës Zall-Herr, kur i ati i Redian Rrajës i kishte kërkuar negocimin me familjen e Andi Malokut.

“Unë jam angazhuar me komisionin e pajtimit të gjaqeve. Asllan Rraja, më ka kërkuar që të negocioj me familjen e Genc Malokut. Ai më kërkoi që të negocioj për të birin Redian Rraja”, tha dëshmitari.

Më tej, Boja shtoi se i kishte kërkuar familjes Rraja t’i tregonin nëse kanë lidhje me këtë ngjarje dhe se babai i shoferit të prokurorit Ndoj, i cili mbeti i vrarë në atentat u kishte dhënë 3 muaj kohë, para se të merrte hak për të birin.

“Ata kanë bërë be në Kuran që ne nuk kemi asnjë lloje dijeni për vrasjen e Andi Malokut. Kemi pritur Gencin Malokun se ai nuk gjendej në shtëpi. I thashë që na ka dërgu familja e Asllan Rrajës. Genc Maloku na tha sipas rregullit shqiptar, keni afat tre muaj që të shohim si do shkojë e gjithë gjëja. Më pas ka pasur edhe një takim të dytë, Genci thekson se djali i është vrarë i pafajshëm në rrugë. Ne i kërkuam që të presë sa të shohim çdo të thotë drejtësia, pasi Asllani nuk ka mundur të lidhet me djalin që të marrë informacion”.

Boja thekson se “ne i kërkuam sërish afat 3 muaj (babait të Andi Malokut), por nuk e pranoi këtë kohë. Ky ka qenë takimi i fundit, më pas nuk jemi takuar më. Nuk i njoh të pandehurit në sallë. Genci Maloku na dha garanci që për tre muaj nuk do merrte hak”, ka dëshmuar Beqir Boja në GJKKO.

Redjan Rraja u dënua në prill 2024 me vendim të Gjykatës së Posaçme të Apelit me burgim të përjetshëm. Ai u shpall fajtor për atentatin e ndodhur në 1 Nëntor të 2019 tek mbikalimi i Shkozetit.

Në atë ngjarje u plagos ish-prokurori Arjan Ndoj dhe Aleksandër Laho alias Pëllumb Muharremi i njohur si “Rrumi i Sukthit”. Nga të shtënat me armë zjarri fatkeqësisht humbi jetën një javë më vonë në spital shoferi Andi Maloku.

Së bashku me Redian Rrajën u dënua me 35 vite burg edhe Ariol Halilaj. Ndërsa porositësit dhe financuesit e kësaj ngjarje janë në proces gjykimi në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për shkak se kanë qenë në kërkim dhe janë zbuluar nga komunikimet në Sky Ecc.

Të pandehurit janë Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Bledar Polovina, Amar Shkëmbi (alias Dritan), Ramazan Rraja dhe Endrit Sinani dhe akuzohen për disa vepra penale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë