Ana e errët

Krimi një hap para qeverisë: Po përdorin kriptomonedha dhe DarkWeb për trafikun e drogës

Nga Gazeta ‘SI’ – Një skenë e re krimi ka zënë vend në betejën e qeverisë kundër krimit dhe pastrimit të parave; kriptomonedhat.

Ministria e Brendshme, në draftin e ri të Strategjisë për Krimin e Organizuar, nënvizon trendin në rritje të përdorimit të kriptomonedhave në trafikun e drogës, si mjet i sigurt dhe diskret. Dokumenti thotë se trafikantët shqiptarë të drogës po përdorin rrjet DarkWeb për aktivitetin e tyre, një rrjet digjital anonim i vështirë për t’u aksesuar.

“Kohët e fundit është identifikuar një trend rritës në përdorimin e kriptomonedhave për pagesa në tregun e lëndëve narkotike duke mundësuar në këtë mënyrë fshehjen e gjurmëve financiare si dhe përdorimi i rrjetit DarkWeb për të shpërndarë lëndët narkotike duke ruajtur në këtë mënyrë anonimitetin e shpërndarësve të këtyrë lëndëve”, thuhet në Strategji.

Deri më tani, mungesa e punonjësve të kualifikuar në fushën e kriptomonedhave ishte një dobësi që shqetësonte zyrtarët e drejtësisë dhe policisë dhe për këtë ministria parashikon të trajnojnë agjentët rreth aktivitetit ilegal të kriptove.

Drafti parashikon dhe shtim të masave e kontrolleve për operatorët që janë identifikuar me risk si mashtrime me kartat bankare, investime në pasuri të paluajtshme, mashtrime në Forex përmes call center, transfertat ndërkombëtare, kriptomonedha, skema investimi ose marketingu online.

Dy ditë më parë, drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, foli përballë deputetëve për të njëjtin shqetësim duke i kërkuar qeverisë të mundësojë krijimin e një Portofoli Digjital për të ruajtuar kriptomonedhat e sekuestruara, plot 11 mln euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë