Ngjarje

‘Nuk del gjallë nga salla kush më dënon nipin’/ Reagon familja e Gjovalin Shkambit: Ishte në gjendje të rënduar

Nga Gazeta Si- Pas arrestimit disa ditë më parë të Gjovalin Shkambit, xhaxhai i autorit të vrasjes së gjyqtarit Elvis Shkambi, ka ardhur edhe reagimi i familjes.

Në një deklaratë publike, familjarët kërkojnë mirëkuptim për situatën e rënduar emocionale dhe bëjnë thirrje për respekt ndaj procesit ligjor, duke u distancuar nga çdo formë dhune apo gjuhe urrejtjeje.

Gjovalin Shkambi kërcënoi se do kishte sërish vrasje në drejtësi nëse do dënohej nipi i tij, Elvis Shkambi, i cili u la në burg bashkë me xhaxhanë tjetër, Gjon Shkambi.

Në reagimin e familjes shkruhet se pavarësisht se drejtësia deri më tani nuk ka arritur ende të vendosë pikën përfundimtare mbi këtë çështje, “ne nuk duam në asnjë mënyrë të përdorim gjuhë urrejtjeje ndaj personave që ushtrojnë detyrën e tyre dhe respektojmë proceset ligjore që po zhvillohen”.

Gjithashtu, familjarët shtojnë se janë plotësisht të vetëdijshëm se kërcënimet nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë, por kërkojnë mirëkuptim për gjendjen e rënduar emocionale dhe psikologjike në të cilën ndodhej babai i tyre në ato momente.

“Urojmë që drejtësia dhe qetësia të mbizotërojnë, dhe Zoti të bëjë atë që është më e mira për të gjithë”, përmbyllet deklarata e famijarëve të Gjovalinit.

Gjovalin Shkambi u la në burg ditën e sotme. Shkambi doli sot para Gjykatës së Shkodrës për tu njohur me masën e sigurisë, arrest me burg, pas kërcënimeve që adresoi ndaj gjyqtarëve pas arrestimit të nipit të tij, Elvis Shkambi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë