Nga Gazeta Si- Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, në mbledhjen e Gjyqtarëve të Republikës, ka kritikuar ashpër ndaj Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), politikanëve dhe vetë gjyqtarët. Sipas tij, vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit ishte “një vdekje e paralajmëruar”.
“Prej vitesh, gjyqtarët janë bërë shënjestër e fyerjeve, kërcënimeve dhe denigrimeve. Në vend që të mbrohej pavarësia e gjyqësorit, është goditur autoriteti i tij. Në vend që të ndërtohej respekti ndaj drejtësisë, është nxitur përbuzja ndaj saj. Në vend që të ngrihej besimi te ligji, është lejuar që opinioni publik të helmohet nga gjuha e urrejtjes dhe paditurisë”, tha fillimisht Sadushi, duke shtuar se politika është fajtore për klimën që është krijuar ndaj gjyqtarëve.
“Politikanë të lartë të vendit, të pushtetit apo të opozitës, ndjejnë sot lehtësi për të fyer, anatemuar apo tallur gjyqtarin që merr një vendim, ndoshta edhe pa e lexuar arsyetimin, pa pritur ankimin dhe pa respektuar hierarkinë gjyqësore. Në vend që të respektojnë procesin ligjor, ata nguten të vendosin vetë “drejtësinë” në mikrofon e kamera, duke gjykuar magjistratin si të ishte palë politike”, – vijoi ai.
Më tej, Sadushi kritikoi edhe vetë aktorët e drejtësisë, duke thënë se përpara se të drejtojnë gishtin nga të tjerët, ata duhet të fillojnë nga vetja.
“Duhet ta pranojmë me ndershmëri se drejtësia shqiptare nuk është ende në lartësinë që shoqëria pret prej saj. Duhet ta themi hapur: vonesat në gjykimin e çështjeve, zvarritjet e panevojshme procedurale dhe mosrespektimi i afateve ligjore për arsyetimin e vendimeve janë plagë të dukshme që dëmtojnë besimin e publikut”, ka thënë Sadushi.
Ai tha në fjalën e tij se ka raste ku proceset zvarriten për vite të tëra, pa një arsye të justifikuar, duke e kthyer pritjen e qytetarit për drejtësi në një dënim më vete.
Gjithashtu, sipas tij, ka vendime që mbeten të paarsyetuara në kohë, dhe të tjera që ndryshojnë nga një gjykatë në tjetrën, duke krijuar pasiguri dhe perceptim për mungesë koherence e drejtësie.
“Kur qytetari nuk ka siguri se çfarë drejtësie do të marrë për të njëjtën situatë, atëherë e gjithë struktura e besimit tronditet. Po ashtu, mënyra e komunikimit tonë me publikun shpesh është e mbyllur, e ftohtë, e pakuptueshme për qytetarin”.
Kreu i Gjykatës së Lartë u shpreh shumë kritik edhe ndaj KLGJ-së, duke thënë se Këshilli i Lartë Gjyqësor, si organi përgjegjës për qeverisjen e sistemit, nuk mund të heshtë shumicën e kohës dhe të reagojë vetëm ndonjëherë, kur situata bëhet e papërmbajtshme.
Sipas tij, kjo qasje është e pakuptueshme dhe e papranueshme. Ai shtoi se gjyqtarët që janë zgjedhur në këtë organ kolegjial nga vetë kolegët e tyre, duhet ta kuptojnë rolin e tyre të pazëvendësueshëm.
“Nuk duhet të harrojnë se shumë shpejt, pas përfundimit të mandatit, do të kthehen në gjykatat nga të cilat kanë ardhur dhe atëherë do ta ndjejnë vetë se sa e rëndë është pasojë e mosveprimit të tyre. Do ta kuptojnë sa shumë kanë humbur për gjyqësorin që nuk e mbrojtën siç duhet dhe sa pak kanë bërë për të ndryshuar gjendjen që sot e denoncojnë me heshtje”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



