Muzike

Virtuozi italian Giuseppe Gibboni vjen për herë të parë në TKOB

Si një  nga violinistët më të jashtëzakonshëm të brezit të tij, Giuseppe Gibboni është i njohur për teknikën e tij brilante, ndjeshmërinë interpretuese dhe pjekurinë artistike që rrallë gjendet në një moshë kaq të re. Fituesi i cmimit 'Paganini', Giuseppe Gibboni vjen për herë të parë në TKOB

Nga Gazeta “SI”- Publiku shqiptar do të ketë mundësinë të përjetojë një mbrëmje të jashtëzakonshme muzikore me një nga emrat më të spikatur të violinës botërore.

Violinisti italian Giuseppe Gibboni, fitues i çmimit të parë në Konkursin Ndërkombëtar “Premio Paganini” 2021, do të performojë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor (TKOBAP) më 9 tetor, ora 20:00.

Si një  nga violinistët më të jashtëzakonshëm të brezit të tij, Giuseppe Gibboni është i njohur për teknikën e tij brilante, ndjeshmërinë interpretuese dhe pjekurinë artistike që rrallë gjendet në një moshë kaq të re.

Me teknikë të përsosur dhe shprehje tërheqëse, Giuseppe Gibboni fitoi zemrat e jurisë dhe të publikut në Konkursin Ndërkombëtar të Violinës “Paganini” në Gjenova, në tetor të vitit 2021. Violinisti, i lindur në vitin 2001, ishte italiani i parë pas 24 vjetësh që fitoi çmimin e madh, si dhe çmimin e publikut dhe çmimin special për interpretimet më të mira të Capriccio-ve dhe Koncertit për Violinë të Niccolò Paganinit.

Që prej asaj kohe, muzikanti tashmë 24-vjeçar ka nisur një karrierë të gjerë koncertesh. Ai debutoi me Koncertin për Violinë të Çajkovskit me Orkestrën e Akademisë Kombëtare të Santa Cecilia-s, nën drejtimin e Lorenzo Viotti-t. Pak më vonë, ai interpretoi me kitaristen Carlotta Dalia, me ftesë të Presidentit të Italisë, Sergio Mattarella, në Pallatin Quirinale në Romë , një koncert që u transmetua drejtpërdrejt në radion italiane.

Një karrierë e ndërtuar që në fëmijëri

Gibboni kishte tërhequr vëmendjen edhe më parë me një sërë suksesesh në konkurse. Ai u bë i njohur për publikun e gjerë televiziv në vitin 2016 falë suksesit të tij në konkursin Prodigi – La musica è vita, të transmetuar nga RAI 1 në bashkëpunim me UNICEF.

Giuseppe Gibboni

Po atë vit, fitoi çmimin e parë dhe një çmim special në Konkursin Ndërkombëtar të Violinës Andrea Postacchini, të pasuar nga sukseset në Konkursin Ndërkombëtar Leonid Kogan në Bruksel (2017), Konkursin Ndërkombëtar George Enescu në Bukuresht (2018), dhe Konkursin Valsesia Musica (2020).

Si biri i një familjeje muzikantësh, Gibboni u mësua fillimisht nga i ati, Daniele Gibboni, përpara se të ndiqte Konservatorin e Salernos “Martucci.” Në moshën 14-vjeçare u pranua në Akademinë Stauffer në Kremona, ku mori mësime nga Salvatore Accardo. Ai gjithashtu u diplomua me Diplomë Nderi nga Accademia Chigiana në Siena.

Pas një kursi pesëvjeçar të avancuar në Accademia Perosi në Biella me Pavel Berman, aktualisht studion në Universitetin Mozarteum në Salzburg nën udhëheqjen e Pierre Amoyal.

Si fitues i Konkursit Paganini, ai pati gjithashtu mundësinë të performonte me “Cannone”, instrumentin e preferuar të Niccolò Paganinit, të ndërtuar nga Guarneri del Gesù në vitin 1743, një privilegj i rrallë që u jepet vetëm pak violinistëve në botë.

Koncerti në TKOB  pritet të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme të sezonit artistik në Tiranë, duke sjellë për herë të parë para publikut shqiptar një talent që ka mahnitur Evropën me virtuozitetin dhe pasionin e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë