Ngjarje

Vritet në Gjykatën e Apelit, gjyqtari Astrit Kalaja. Plagosen dhe babë e bir. Arrestohet autori, shkak një çështje prone

Nga Gazeta ‘SI’ – Gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja është qëlluar me armë zjarri brenda në sallën e gjyqit dhe ka mbetur i vdekur, ndërsa autori i dyshuar u arrestua menjëherë pas krimit.

Autori është Elvis Shkambi, rreth 30 vjeç, i cili ishte palë në një proces gjyqësor për një çështje pronësie në qytetin e Shkodrës, për të cilën dyshohet se gjykatësi Astrit Kalaja e ka dhënë verdiktin sot, jo në favor të tij. Ai është arrestuar nga policia, ndërsa është sekuestruar edhe arma e krimit.

Policia njofton se janë plagosur edhe dy persona të tjerë (po ashtu palë në procesin gjyqësor), babë e bir, Elvis Kurtaj dhe Rakip Kurtaj, të cilët mësohet se janë në gjendje të stabilizuar shëndetësore.

Autori i krimit, Elvis Shkambi

Sipas policisë, autori, pasi humbi gjyqin, ka nxjerrë armën në sallën e gjyqit dhe ka qëlluar në drejtim të gjyqtarit dhe dy të tjerëve.

Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes do të ndiqen nga SPAK, ndërsa menjëherë pas ngjarjes dy prokurorë të posaçëm mbërritën në ambientet e Apelit të Posaçëm.

“Rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjatë një procesi gjyqësor, dyshohet se shtetasi E. Sh., 30 vjeç (palë në proces) ka qëlluar me armë zjarri drejt gjyqtarit, shtetasit A. K., dhe shtetasve R. K., 65 vjeç dhe E. K., 45 vjeç, atë e bir (pala tjetër në proces). Si pasojë ka humbur jetën shtetasi A. K. dhe janë plagosur shtetasit R. K. dhe E. K, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën”, informoi Policia e Tiranës.

Elvis Shkambi ka pranuar autorësinë e krimit, ndërsa mbetet e paqartë se si i riu arriti që të futej brenda në sallën e gjyqit i armatosur, duke ngritur kështu alarmin për një dështim të masave të sigurisë në një prej institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë. Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ruhet nga polici private dhe jo nga Policia e Shtetit.

Pasi u qëllua me armë, gjyqtari është dërguar drejt spitalit, por ka mbërritur pa shenja jete. Sipas burimeve, familja e Elvis Shkambit, i pëfaqësuar nga xhaxhai i tij, ishte prej disa vitesh në një gjyq për çështje pronësie. Ai pretendonte një pronë në zonën e Shkodrës në lagjen “Skënderbeg”, sipas të cilit ia kishin uzurpuar.

Konflikti për pronën zvarritej gjyqeve prej disa vitesh tashmë, madje autori e kishte denoncuar historinë edhe në një emision investigativ.

Sipas pretendimit të tij, vite më parë, ai thoshte se kishte fituar në Shkallën e Parë, ndërsa Apeli ia ka kthyer për rigjykim, pasi në dosje i mungonin dy proces-verbale dhe akti i ekspertimit. Ai pretendon se pala tjetër me dokumente të falsifikuara vazhdon të qëndrojë në ndërtesën e Gjonit.

Kalaja ishte pjesë e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, që prej vitit 2023. Më herët, ai ka mbajtur detyrën e zv/kryetarit të Gjykatës së Apelit Shkodër, 2019-2023, ndërsa nga viti 1993 deri në 2004, ai ka qenë Gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë