Drejtësia

Dëshmia në GJKKO, babai i Andi Malokut: ‘Rrumi’ më tha se atentatin e ka paguar Plaurent Dervishaj

Gazeta Si – Genc Maloku, babai i të ndjerit Andi Maloku, i cili humbi jetën nga breshëria e plumbave që u zbrazën në atentatin ndaj mjetit të ish-prokurorit Arjan Ndoj në nëntor 2019, ka dëshmuar këtë të premte, teksa u pyet nga prokuroria dhe të akuzuarit gjatë një seance me dyer të hapura.

Ai është përplasur në GJKKO me Plaurent Dervishajn, të akuzuarin si porositës të këtij atentati. Genci Maloku i ka kërkuar Plaurentin arsyen e vrasjes së djalit të tij. Ndërsa Dervishaj i tha se duhet të vinte që ta takonte personalisht.

Babai i viktimës tregon edhe një bisedë që kishte me djalin pak pasi ishte qëlluar gjatë kohës që qëndroi në spital, por pas një jave ndërroi jetë.

“Arjan Ndoj në atë periudhë ishte prokuror në Durrës. Ditën e ngjarjes isha në shtëpi, më mori vetë djali dhe më tha: ‘Jam keq o babë më tha, më kanë gjujt’. (Qan) – Ka qenë ora 4 e gjysmë, 5. Nuk e pashë orën tamam. Mendova se ishte shaka. Shkova në spitalin ushtarak, te vendi i ngjarjes jo. Komunikova me djalin. ‘Po ecnim, nuk ishim me shpejtësi, veç kur na vjen një makinë’, tha. Kishin qenë në një restorant përpara, djali ka qenë jashtë”.

Genc Maloku tregon edhe një bisedë me Aleksandër Lahon, ose “Rrumi i Shijakut”, objektivi i dyshuar i atentatit, i cili i kishte treguar për emrin e Plaurent Dervishajt.

“Arjan Ndoj dhe Rrumi nuk dinin gjë, më pas më tha Rrumi se vrasjen e ka paguar Plaurent Dervishaj me grupin e tij. Kanë ardhur familjaret e Redjan Rrajës te shtëpia. Ata kanë ardhur me porosi te babës Redjanit dhe aq than s’kemi konflikte. Unë i thash dua ta di të vërtetën. Arjol Halilaj erdhi e njoh nga TV. Halit Valteri e njoh e thirra unë. Një usb ma lan te porta dhe në të kishte një burrë me kapele Redjan Rraja dhe nja qeros dhe duken që ikën kur kanë dashur me djeg makinën”, – tha Maloku.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organiuzar, ka mbyllur në maj dosjen në ngarkim të gjashtë personave, të cilët akuzohen për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, ngjarje e ndodhur në nëntor të vitit 2019.

Të pandehurit janë Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Bledar Polovina, Amar Shkëmbi (alias Dritan), Ramazan Rraja dhe Endrit Sinani dhe akuzohen për disa vepra penale.

Nga kjo ngjarje mbeti i vrarë shoferi i ish-prokurorit, Andi Maloku. Ndërsa Ndoj dhe Aleksandër Laho, i njohur ndryshe si “Rumi i Shijakut”, mbetën të plagosur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë