Gazeta Si – Një shpërthim tritoli ka ndodhur në qytetin e Lushnjës në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte në lagjen “Gafurr Muço”.
Lënda plasëse dyshohet se është vendosur në katin e parë të një pallati parafabrikat, duke shkaktuar dëme materiale, por pa të lënduar në njerëz.
Sipas raportimeve nga vendngjarja, shpërthimi ka ndodhur pranë banesës së Shaqe Gjatës, nëna e Klea Gjatës, e njohur si ish-e dashura e të dënuarit me burg përjetë, Laert Haxhiu, i cili është përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale, përfshirë dhe vrasjen e dy personave.

“Rreth orës 01:00, në lagjen ‘Gafurr Muço’, në murin e jashtëm në katin e parë të banesës së shtetases Sh. Gj., 57 vjeçe, është hedhur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lëndë plasëse. Nga shpërthimi janë shkaktuar dëme të vogla materiale. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë dhe grupi hetimor, për të kryer veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas burimeve, banorët e pallatit janë alarmuar nga shpërthimi dhe janë larguar nga banesat gjatë natës për shkak të frikës së përshkallëzimit të situatës.
Nga shpërthimi janë dëmtuar pjesërisht fasada e pallatit, veçanërisht sistemi kapot, një tub shkarkimi i ujërave dhe një dritare në katin e dytë.

Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, ka rrethuar zonën dhe ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe autorët e mundshëm.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se po shqyrtohen disa pista, një nga të cilat është pista e një hakmarrjeje për shkak të lidhjes së vajzës me personin me të shkuar kriminale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



