Ngjarje

Sarandë/ 15-vjeçarja hidhet nga kati i 4, babai: E bullizojnë në shkollë

Nga Gazeta Si- Një vajzë 15-vjeçare ka tentuar vetëvrasjen në Sarandë, pasi është vetëhedhur nga kati i 4-t i banesës së saj.

Fatmirësisht vajza ka mundur të shpëtojë dhe ndodhet në gjendje stabël në spital.

Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, në ditën e ditëlindjes së vëllai të saj.

15-vjeçarja, në vitin e parë të gjimnazit ka shkuar në shtëpi pas shkolle.

Brenda ishte gjithë familja e saj dhe teksa përgatiteshin për të festuar, familjarët dëgjuan një zhurmë nga ballkoni.

Ata gjetën në rrugë vajzën.

Babai i vajzës ka sqaruar se vajza sapo kishte ardhur në shtëpi nga shkolla u kishte treguar se një vajzë dhe një djalë në shkollë e kishin bullizuar.

“Vjen në shtëpi dhe i thotë vëllait se një vajzë bashkë me një shokun e saj në klasë e ofendonin, “më thonë je e shpifur””, ka treguar babai i saj.

Ai tregon se vajza është bullizuar prej kohësh në shkollë dhe kishte vënë re ndryshim në sjelljen e të bijës. Sipas tij, 15-vjeçarja bullizohej edhe në 9-vjeçare.

“I jepja 5 mijë lekë në mëngjes, ma sillte përsëri në drekë dhe rrinte dhe pa ngrënë. Nuk është hera e parë që vajza vjen shumë e ndrojtur, shumë e frikësuar nga shokët ose shoqet në shkollë”, ka treguar ai, duke shtuar se djalin e vogël e ka pa shkollë për arsye bullizimi.

“Po ta çoj në shkollë, djalin do ma rrahin, do ma pështyjnë, do ma poshtërojnë. Nuk e di, edhe pse nuk e kuptoj pse ndodh. Edhe këtu në lagje, djalin unë e mbaj brenda në shtëpi. Dhe tani është në shtëpi. Unë mendoj që do ta heq vajzën fare nga shkolla për arsye bullizimi. Nuk ka korrektësi në shkolla”, tregon ai.

E mitura, pasi mori mjekim në Spitalin e Sarandës, është dërguar në Tiranë. Fatmirësisht, gjendja e saj paraqitet jashtë rrezikut për jetën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë