Gazeta Si – Ka përfunduar arratia disa mujore e dy vëllezërve Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj, të cilët ishin shpallur në kërkim si bashkëpunëtorë për mbytjen me litar të të riut Renis Dobra më 8 korrik të këtij viti në Mat Të dy të rinjtë u arrestuan nga forcat speciale RENEA në Tiranë pranë kompleksit “Delijorgji” në kryeqytet.
Më herët për ngjarjen e rëndë, ishte arrestuar vëllai tjetër i tyre Fatjon Bushgjokaj dhe bashkëpunëtori që dyshohet se u siguroi makinat, Petrit Çakrri.
Hetimet e deritanishme të policisë kanë nxjerrë në përfundimin se mes Dobrës dhe vëllezërve Bushgjokaj kishte patur konflikt për shkak të veprimtarisë kriminale të trafikut të drogës gjatë kohës që kishin qenë në Gjermani.
Fillimisht, i riu Renis Dobra u raportua i zhdukur nga familjarët dhe një ditë më pas u gjet i mbytur në liqenin e Shkopetit. Pas këqyrjes së shenjave në trupin e tij, u konstatua se ishte mbytur me litar.
Pavarësisht pretendimeve të dy të arrestuarve, policia dhe prokuroria e Dibrës janë thuajse të bindura se Petrit Çakraj, Fatjon Bushgjoka dhe dy vëllezërit e tyre, Kristi dhe Aleksandër, të shpallur në kërkim, janë autorët e ngjarjes.
Dyshimi i hetuesve mbështetet në pamjet filmike që tregojnë katër autorët në qytetin e Burrelit, si dhe në verifikimet e automjeteve të përdorura gjatë krimit.
Renis Dobra ishte kthyer së fundi nga Gjermania, ku ishte deportuar pas arrestimit si pjesë e një grupi kriminal që shpërndante drogë. Pikërisht nga ky aktivitet policia dyshon se viktima kishte pasur konflikte me katër autorët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


