Gazeta Si – Tre vajza të mitura janë dërguar me urgjencë në spitalin e Korçës, pasi dyshohet se kanë konsumuar karamele me hashash të gjetura në rrugë.
Sipas burimeve zyrtare, rreth orës 18:15, tre të miturat, të moshave 3, 7 dhe 10 vjeç, janë paraqitur në shërbimin pediatrik të Spitalit të Korçës, të shoqëruar nga familjarët e tyre për të marrë ndihmë mjekësore.
Paraprakisht, familjarët kanë deklaruar se fëmijët, të cilat sipas burimeve janë motra, mund të kenë konsumuar disa karamele të gjetura pranë një koshi mbeturinash, çka ngre dyshime për helmim ose intoksikim.
Dyshohet se karamelet kanë pasur përmbajtje të esencës së lëndëve narkotike (kanabis). Nga ana e policisë, është konfirmuar se karamelet janë gjetur në koshin e mbeturinave dhe nuk ua ka dhënë asnjë person tjetër.
Burime nga bluzat e bardha bëjnë me dije se në gjendje të rëndë shëndetësore është vetëm 3-vjeçarja, e cila u intubua në reanimacionin e spitalit të Korçës.
Dy vajzat e tjera fatmirësisht e kanë kaluar rrezikun për jetën dhe ndodhen në gjendje të qëndrueshme, nën kujdesin e mjekëve në pediatri.
Policia e Korçës ka nisur menjëherë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar origjinën dhe përmbajtjen e karameleve në fjalë.
Grupi hetimor po bashkëpunon me autoritetet mjekësore për të analizuar gjendjen shëndetësore të fëmijëve dhe për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për ndonjë substancë të dëmshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



