Ngjarje

Njerku-polic abuzoi me 16-vjeçaren për 3 vjet, në kërkim kolegu i tij. I dashuri i vajzës i shantazhoi me video

Gazeta Si – Një e mitur në Përmet është abuzuar seksualisht nga njerku i saj me detyrë punonjës policie dhe kolegu i tij, i cili është shpallur në kërkim.

Por rasti është edhe më tronditës, pasi i dashuri i 16-vjeçares, 46 vjeç dhe një shok i tij, kanë shantazhuar policin me një video intime për të mos publikuar pamjet në rrjetet sociale.

Siç bën me dije policia përmes një njoftimi zyrtar, Prokuroria e Gjirokastrës ka lëshuar 4 urdhër-arreste lidhur me abuzimin ndaj vajzës.

Mes të arrestuarve, është një punonjës në Komisariatin e Policisë Përmet, P.B, 56 vjeç. Sipas hetimeve, rezulton se ai ka ngacmuar seksualisht për 3 vite me radhë.

Në pranga është vënë edhe shtetasi K.P., 46 vjeç (i cili dyshohet se ka pasur lidhje intime me 16-vjeçaren) dhe shoku i tij, shtetasi I.P., 27 vjeç, të dy banues në Këlcyrë.

Këta të fundit, dyshohet se kanë kanosur 55-vjeçarin, që t’iu jepte 1 milion lekë, për të mos i publikuar të miturës video me përmbajtje intime.

Në kërkim është shpallur edhe shtetasi A.A., 53 vjeç, punonjës i Komisariatit të Policisë Tepelenë, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht 16-vjeçaren. Sipas Prokurorisë, ai rezulton në Greqi.

Pas publikimit të rastit shokues, janë pezulluar nga detyra dy policët, të cilët ishin me detyrë trup shërbimi “Patrullë e Përgjithshme”, në komisariatet përkatëse.

E mitura aktualisht është në kujdesin e familjarëve të saj, si dhe në monitorim të vazhdueshëm të psikologes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë