Gazeta Si – Petrit Qoli, njëri prej të pandehurve në dosjen “Plumbi i Artë”, ku akuzohet për vrasjen e Ervis Dedjas dhe nënës së tij Fatmira Dedja, ka shpërthyer me tone të ashpra në seancën e mbajtur këtë të martë në GJKKO, ku i pranishëm ishte edhe Nuredin Dumani.
Seanca nuk u zhvillua normalisht për shkak të mungesës së disa prej avokatëve në proces. Situata u tensionua kur palët diskutuan mbi zhvillimin ose jo 2 herë në javë të seancës. I pandehuri Qoli shpërtheu ndaj gjykatës, duke kërkuar ritëm të procesit.
Qoli ka debatuar me prokurorin e dosjes, Behar Dibra, duke i thënë se po e shkatërronte duke e mbajtur në burg për një çështje, ku pretendon se nuk ka pasur gisht.
Madje iu shpreh edhe me ironi që të mos e ushqenin me karkaleca të penduarin e drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili para rreth dy javësh përfundoi në spital për shkak të një helmimi të dyshuar në qelinë e tij.
“Po kryeni genocid individual nga padrejtësia e drejtësisë. Unë kam vetëm një siklet, infarktin. Po na shkatërroni. Jam duke vdekur nga turpi moj motër e nderuar, nuk mundet se na plasët. O prokuror, po më vrisni për së gjalli. Kam familje jashtë, kam biznese, po më shkatërroni. Kam dy vite në burg për shkak të Dumanit. Më falni për tonin, por po na vdisni. O prokuror mos i jep karkaleca këtij (Nuredin Dumanit) se ky maksimumi makarona ha”, – u shpreh Qoli mes të tjerash, duke ironizuar të penduarin e drejtësisë.
Seanca për dosjen “Plumbi i Artë” u shty për në datën 18 shtator, ora 10:00 për shkak të kundërshtimit të deklarimeve të bashkëpunëtorëve të drejtësisë nga ana e avokatëve të të pandehurve të tjerë.
Sipas hetimeve të SPAK, Nuredin Dumani ka treguar si u hartua plani për vrasjen e Fatmira Dedjes dhe se si fillimisht diskutohej që ekzekutimi të bëhej në varreza, ku e ndjera shkonte dhe qante të birin që ia kishin vrarë.
Fatmira Dedja ishte nëna e Elvis Dedjes, edhe ky i fundit i ekzekutuar në qershor 2012. Në ato vite, Fatmira Dedja akuzonte publikisht dhe në prokurori se djalin ia kishte vrarë Festim Qoli.
Në bazë të dosjes “Plumbi i Artë” të SPAK, si dhe bazuar në dëshminë e Nuredin Dumanit, Qoli pagoi 40 mijë euro për ta vrarë Fatmira Dedjan për shkak se ajo “fliste” dhe dyshonte se ishte gati të jepte mijëra euro te prokurorët për të rihapur çështjen. Fatmira Dedja u godit me grushte dhe thikë nga Talo Çela dhe Nuredin Dumani, ku humbi jetën para banesës së saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



