Ngjarje

Humb jetën 58-vjeçari nga Maliqi/ Policia raporton se u godit nga kali, familjarët ngrenë akuza: E goditi një person

Nga Gazeta Si- Një 58-vjeçar nga fshati Rëmbec i Maliqit, i cili ndodhej në gjendje të rëndë në QSUT, pasi sipas policisë u godit nga kali, ka humbur jetën, ndërkohë që familjarët ngrenë pretendime për ngjarje kriminale.

Jorgo Ajredini në datën 13 gusht u dërgua nga familjarët në spitalin e qytetit të Korçës me plagë në kokë e më pas u transportua drejt Tiranës, ku ndërroi jetë ditën e dielë.

Policia e Korçës e referoi ngjarjen si aksidentale, por familjarët e viktimës kanë ngritur pretendime se ngjarja është kriminale. Ata thonë se Ajredini u gjet pranë fushës së sportit të fshatit Rëmbec në një kanal, me disa plagë në kokë, të lokalizuara në ballë dhe pas veshëve.

Sipas familjarëve, 58-vjeçari është goditur me sëpatë nga një banor i fshatit me të cilin kishte një konflikt për motive familjare, ngjarje e ndodhur rreth 1 vit e gjysmë më parë. Ajo ç’ka ngre dyshime, është komunikimi i të plagosurit me njërin prej vëllezërve, Agustin Ajredinin, të cilit i ka pohuar se e ka goditur një person nga Pogradeci. Ky ka qenë komunikimi i fundit i 58-vjeçarit me familjarët e tij, pasi gjendja shëndetësore u përkeqësua dhe ai ra në gjendje kome.

“Kam qenë në Rëmbec bashkë me vëllanë. U ndamë aty. Vëllai mori kalin dhe shkoi ta lidhte në jonxhë, unë ika në shtëpi. Pasi me thanë se cfarë kishte ndodhur, shkova në spital. E pyeta vëllain dhe më tha: ‘S’më ka goditur kali, por një person nga Pogradeci’”, thotë vëllai i viktimës.

Ai tregon se të nesërmen e ka denoncuar ngjarjen në Maliq. Ndërsa vëllai i tij ishte në gjendje kritike, ku hera herës përmirësoj.

“‘Më goditi’, tha vëllai, por s’qe i vetëdijshëm. Me pak fjalë e kanë goditur. Në vendin që duhej lidhur kali nuk ishte kali. Atij i bënë pritë. Kur tha ‘më goditën’ tha edhe ‘një i shkurtër nga Pogradeci’. Këtë e tha vetë. Dua të vërtetën. Policia s’ka bërë asgjë“, u shpreh vëllai i viktimës, Agustin Ajredini.

Deri më tani, janë shoqëruar dhe pyetur në cilësinë e dëshmitarëve dhe personave që kanë pasur dijeni, rreth 15 persona, mes të cilëve familjarë dhe banorë të fshatit Rëmbec.

Mësohet se viktima ka pasur konflikt edhe para 1 viti e gjysëm me një person, ku dhe është dhunuar, duke përfunduar në spital.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë