Ngjarje

Ndeshja Shqipëri- Letoni/ Të martën pasdite bllokohen rrugët rreth stadiumit ‘Air Albania’

Nga Gazeta Si- Në prag të ndeshjes mes Shqipërisë dhe Letonisë e cila luhet të martën në orën 20:45 në ‘Air Albania’, Tirana do të blindohet nga kufizimet e qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit. Gjithashtu do ketë kontrolle të rrepta për sende të ndaluara, apo persona me rrezikshmëri.

Nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes, do të ketë kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit,  konkretisht: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Presidencës drejt sheshit “Nënë Tereza”, rruga “Papa Gjon Pali i II”, rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së, rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së, rruga “Themistokli Gërmenji”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës deri tek stadiumi, rruga “Faik Konica” dhe rruga “Skerdilajd Llagami”.

Parkimi i autobusëve me tifozë vendas që vijnë nga Korça dhe Elbasani, do të bëhet në parkingun e lokal “Kalvin”, ndërsa autoveturat te terminali pranë qytetit “Studenti”.

Parkimi i autobusëve që vijnë nga veriu dhe jugu, do të bëhet në parkimin pranë mbikalimit të Kamzës, ndërsa veturat tek parkingu pranë pallatit të sportit “Asllan Rusi”, në parkingun nëntokësor në sheshin “Skënderbej”, si dhe në parkingun nëntokësor në “Bulevardin e Ri”, te ish stacioni i trenit.

Gjithashtu, policia apelon për qytetarët që të mos ngrenë dronë në perimetrin e sigurisë (përreth stadiumit “Arena Kombëtare”), sepse do të përdoren pajisje anti-dronë.

Ndërsa veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë.

Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi njerëzit, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Gjithashtu, policia apelon për tifozët që të mos publikojnë në rrjete sociale biletat e blera, pasi mund të dublikohen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë