Gazeta Si – Një 27-vjeçar grek, person me precedent të mëparshëm penal, është arrestuar në Greqi, i dyshuar si vrasësi i 47-vjeçarit shqiptar Artur Bashimi në Athinë, ngjarje e ndodhur më 18 gusht 2025.
Sipas mediave greke, autori e kishte marrë porosinë nga një burg në Greqi dhe për këtë ishte paguar me 15 mijë euro.
Dyshohet se porositësi ka pasur konflikte me vëllain e Arturit, Marsel Bashimin, i cili ndodhet i dënuar në burgjet greke.
Ndërkohë, sasia e parave që kishte marrë pas vrasjes autori, i kishte bërë përshtypje edhe nënës së tij, e cila nuk ishte në dijeni të ekzekutimit.
Ajo i kishte thënë djalit 27-vjeçar se nuk i pëlqente fakti që krejt papritur kishte grumbulluar një shumë parash.
“Papritur t’u gjendën plot para dhe kjo gjë nuk më pëlqen. Që nga dita që ke marrë këto para, nuk më ke qerasur asnjë herë”, i ka thënë ajo djalit të saj.
Sipas provave në dosjen hetimore, ditën e vrasjes, autori doli nga apartamenti i tij në qendër të Athinës dhe mbërriti në vendin e ekzekutimit me një motor blu.
Fillimisht ai u drejtua drejt kafenesë që frekuentonte viktima. Sapo e pa 47-vjeçarin Bashimi duke u larguar, ai e qëlloi një herë, ndërsa arma e tij u bllokua.
Ai u largua, duke shkuar në Alimos në një klub të njohur plazhi, parkoi motoçikletën dhe më pas u kthye në shtëpi me taksi.
Dëshmia e një gruaje ishte thelbësore për çështjen, pasi ajo deklaroi para autoriteteve se autori, të cilin e njihte, i kishte kërkuar të parkonte motorin në verandën e pallatit të saj në fillim të qershorit. Kur u kthye më 20 gusht, motoçikleta ishte zhdukur.
Viktima Artur Bashimi ka qenë më parë në burg dhe i akuzuar për organizatë kriminale, grabitje, vjedhje e pastrim parash.
Një mik i viktimës, pas vrasjes së tij, u tregoi autoriteteve greke se 47-vjeçari, pak para se të ekzekutohej, i kishte thënë se vëllai i tij, i cili ishte në burgun e Trikalas, ishte përfshirë në një incident dhe i kishte kërkuar që të ishte i kujdesshëm. Vrasësi do të kërkojë falje të hënën, më 8 shtator dhe tashmë i ka rrëfyer policisë se çfarë ka bërë.
Artur Bashimi rezulton të jetë vëllai i 38-vjecarit Marsel Bashimi alias Marsel Shkurtaj alias Marsel Gozhita, person me precedentë të rëndë penalë në Greqi e Shqipëri.
Marsel Bashimi në korrik 2022 u arrestua bashkë me Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin, si autorë të një ngjarjeje të rëndë me përdorim armësh në Greqi. Jambelli e Leci akuzohen në Shqipëri si autorë të vrasjes së Komisar Artan Cukut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



