Ngjarje

Krim në një familje shqiptare në Greqi, burri vret gruan me thikë në sy të fëmijëve dhe arratiset

Gazeta Si – Një krim në një familje shqiptare ka ndodhur në Volos të Greqisë, ku Pandeli Nakoleci, 40-vjeç vrau gruan e tij e tij, 36-vjeçe, Marjola Nakoleci, me të cilën kanë katër fëmijë dhe më pas është arratisur.

Ngjarja e rëndë ndodhi në pallatin ku jeton familja në rrugën “Konstanta”. Sipas mediave greke, sherri filloi në apartamentin e tyre dhe çifti zbriti në hyrje të pallatit ku vazhduan grindjen verbale.

Më pas, 40 vjeçari dyshohet se vrau gruan e tij me një objekt të mprehtë dhe u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Gjithnjë sipas mediave greke, krimi ndodhi para syve të njërit prej fëmijëve të familjes, i cili madje thuhet se i ka thënë policisë: “E pashë babin duke e goditur mamin me thikë”, shkruan media greke Prothema.gr.

Autori i krimit më pas është larguar nga pallati ndërsa policia ka nisur një kërkim për ta gjetur dhe arrestuar atë.

Zona është rrethuar nga forca të forta policore, ndërsa një ambulancë dhe një mjek ligjor ndodhen në vendngjarje.

Sipas asaj që shkruajnë mediat greke, autori ka një të kaluar kriminale dhe me probleme psikike. Në qershor të këtij viti, ai ishte dërguar në spitalin psikiatrik të Volosit për ekzaminim pasi kishte tentuar t’i jepte fund vetes. Doktorët thanë se ai kishte nevojë për shtrim dhe e detyruan të qëndronte në spital.

Në vitin 2019, ai ishte arrestuar dy herë për posedim të lëndëve narkotike. Më herët, në 2018-ën, kishte qenë dënuar me një vit burg për dëshmi të rreme. Edhe në vitin 2013, ai është arrestuar për falsifikim dhe hyrje të paligjshme në Greqi.

Vrasja ka tronditur komunitetin e Volosit, e jo vetëm, teksa kërkimet për gjetjen e shqiptarit, i cili u arratis pas vrasjes, vijojnë ende.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë