Ka ndodhur

Arrestohen 3 zjarrvënës në Fier e Lushnjë, mes tyre dhe autori që dogji ish-fushën e mbetjeve 

Nga Gazeta ‘Si’- Tre persona janë arrestuar në Fier dhe Lushnje të akuzuar për ndezje zjarresh.

Në Fier është arrestuar Faik Buzi 68 vjeç, i cili u kap në flagrancë duke ndezur zjarr përbri argjinaturës së lumit Gjanica. Gjithashtu, dyshohet se ka shkaktuar 3 vatra të tjera zjarri në lagjen ku banonte. Si pasojë e përhapjes së flakëve nga era, u dogj një sipërfaqe toke me bimësi të egër.

Në Lushnje u arrestuan Gëzim Hysi 61 vjeç dhe Novruz Deneku 62 vjeç.

Gëzim Hysi akuzohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij në lagjen “18 tetori” për djegien e mbeturinave. Flakët, u përhapën deri te ish-fusha e mbetjeve urbane në Lushnje, duke rrezikuar disa banesa në atë zonë.

Edhe Novruz Deneku ndezi zjarr në afërsi të banesës së tij për djegien e mbeturinave. Flakët u përhapën në një territor të konsiderueshëm të fshatit duke rrezikuar banesa.

Nga muaji qershor e deri më sot, janë identifikuar 140 zjarrvënës dhe janë arrestuar 49 prej tyre. Të tjerë po hetohen në gjendje të lirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë