Ngjarje

Delvina rrethohet nga flakët, evakuohet spitali, në rrezik depot e naftës. Banorët largohen mes panikut

Gazeta Si – Delvina është rrethuar nga flakët që kanë përfshirë faqen e malit mbi qytet mbrëmjen e kësaj të marte, duke u afruar ndjeshëm pranë puseve të naftës dhe kondensatit dhe duke ngritur alarmin për një situatë të rrezikshme.

Edhe pse puset janë të rrethuara nga një perimetër sigurie i papyllëzuar, era e fortë dhe temperaturat e larta rrezikojnë përhapjen e zjarrit drejt tyre.

Përmasat e zjarrit cilësohen të jashtëzakonshme, ndërsa ndërhyrja ajrore nuk është e mundur gjatë natës. Dyshohet se disa banesa mund të jenë përfshirë nga flakët, por për momentin është e vështirë të bëhet evidentimi i dëmeve për shkak të tymit të dendur dhe qasjes së kufizuar në terren.

Në zonë po punojnë dhjetëra forca të ushtrisë dhe zjarrfikëses. Pranë spitalit, janë marrë masa urgjente për çmontimin dhe largimin e sistemit të furnizimit me oksigjen, për të shmangur rrezikun e një shpërthimi në rast se flakët arrijnë godinën.

I gjithë personeli mjekësor është në gatishmëri për të mbrojtur ambientet me mjetet që kanë në dispozicion, ndërkohë që çdo pacient është evakuuar në ambiente të sigurta.

Era e fortë po fryn në drejtim të qytetit, duke vështirësuar ndërhyrjen dhe duke rritur rrezikun për banorët. Dhjetëra familje po largohen me urgjencë nga shtëpitë e tyre, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të respektojnë udhëzimet e forcave të rendit.

Një nga banorët ka dëshmuar në media se situata është apokaliptike. “Po digjen shtëpi, ka panik dhe njerëzit po dalin me mbathje rrugëve, situatë apokaliptike”, – tha ai, ndërsa dëgjohen boritë e makinave të qytetarëve, të cilët nxitojnë të ikin mes panikut.

Vendi ku po përhapet zjarri është një nga vendburimet më të rëndësishme të gazit natyror dhe kondensatit në Shqipëri.

Puset e Delvinës, të zbuluara në fund të viteve ’80 , prodhojnë rreth 8–10 mijë Nm³ gaz në ditë, një sasi me rëndësi strategjike për sigurinë energjetike të vendit.

Pamjet nga Delvina, i ka postuar në Facebook edhe kryedemokrati Sali Berisha. “Delvina po përjeton tmerr! Po digjen lagjja Llakë dhe Xhetmahall. Ka shpërthime granatash! Nuk pati asnjë ndërhyrje nga ajri për ta parandaluar paradite!”, shkruan ai.

Pritet që Ministria e Mbrojtjes të dalë me një njoftim zyrtar, ndërsa problematike mbetet situata në Tepelenë dhe Gramsh, ku humbi jetën një 80-vjeçar, i asfiksuar nga tymi dhe 10 banorër përfunduan në spital. Më herët, u raportuan 30 vatra aktive zjarri në thuajse të gjitha qarqet e vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë