OpenAI ka prezantuar modelin më të ri të inteligjencës artificiale, GPT-5, duke e cilësuar atë si më të zgjuar, më të shpejtë dhe më të dobishëm se paraardhësit.
Sipas themeluesit dhe CEO-s së kompanisë, Sam Altman, GPT-5 përfaqëson një kapërcim historik, duke e cilësuar si një model me aftësi të nivelit të doktoraturës në fusha si programimi dhe shkrimi.
“Të kesh diçka si GPT-5 do të ishte e paimagjinueshme në çdo epokë tjetër të historisë njerëzore”.
OpenAI pretendon se GPT-5 ka përmirësuar ndjeshëm aftësitë logjike dhe arsyetuese, jep përgjigje më të sakta dhe “ndjehet” më njerëzor në komunikim.
Altman tha se ky model është më pak i prirur ndaj “halucinacioneve” pra, krijimit të informacionit të pavërtetë dhe më pak mashtrues në përgjigje.
“GPT-3 ishte si të flisje me një nxënës gjimnazi, GPT-4 si të bisedoje me një student universiteti, ndërsa GPT-5 ndjehet si të flasësh me një ekspert të vërtetë në çdo fushë”.
Lançimi i GPT-5 vjen në një klimë konkurrence të nxehtë mes kompanive teknologjike. Elon Musk, me chatbot-in Grok, pretendoi muajin e kaluar se ai ishte “më mirë në gjithçka”.
Edhe Anthropic, kompania pas modelit Claude, po pozicionon versionin e saj si ndihmës për zhvilluesit e softuerëve.
Në përpjekje për ta bërë chatbot-in më të përgjegjshëm emocionalisht, OpenAI ka bërë ndryshime në mënyrën si ChatGPT i përgjigjet përdoruesve. Për pyetje të ndjeshme si “A duhet të ndahem nga partneri im?”, AI nuk jep më një përgjigje të prerë, por ndihmon në reflektim, duke sugjeruar analiza dhe pyetje ndihmëse.
Altman ka pranuar se ndërveprimet e përdoruesve me AI po bëhen gjithnjë e më personale, çka mund të sjellë edhe raporte të rrezikshme.
Në ditët në vijim do të vërtetohet nëse GPT-5 do t’i përmbushë pritshmëritë apo nëse, siç paralajmërojnë kritikët, kemi të bëjmë me një evolucion të moderuar, e jo një revolucion.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



