Gazeta Si – Avokati i Popullit ka nisur verifikimet mbi mënyrën se si është shoqëruar dhe trajtuar Erion Veliaj nga paraburgimi i Durrësit drejt ambienteve të një klinike private, ku iu nënshtrua analizave mjekësore.
Pas deklaratave publike të Veliajt, i cili denoncoi trajtim të padrejtë në shkelje të protokollit mjekësor, Komisioneri për Parandalimin e Torturës, Ahmet Prençi, ka zhvilluar një vizitë në paraburgimin e Durrësit për të kryer verifikime të hollësishme lidhur me rastin.
Vetë avokatët e Veliajt thanë përpara disa ditësh se: “Kjo vizitë pasi i është refuzuar disa herë, dhe pasi ju miratua është shoqëruar me një prani të jashtëzakonshme sigurie prej rreth 30 efektivësh policie dhe hetues të BKH-së, disa prej të cilëve ishin të pranishëm edhe brenda sallës së ekzaminimit, masa të papërshtatshme dhe të pajustifikuara për një person si zoti Veliaj dhe në shkelje të çdo protokolli mjekësor”.
Veliaj, pak ditë më parë, nëpërmjet një shkrimi të gjatë në rrjetet sociale, ku fliste për procesin hetimor të SPAK ndaj tij, e cilësoi “të padrejtë” dhe “poshtëruese” këtë situatë.
Mes të tjerash, Veliaj përmendi edhe rastin e ekzaminimit mjekësor të tij në spitali disa javë më parë. Sipas tij, agjentët e BKH-së në sallën e operacionit i kanë bërë një kontroll të imtësishëm deri në pikën që ai e cilësonte si “Voyerism”, apo thënë ndryshe, një lloj interesi seksual ose praktika e shikimit të njerëzve të tjerë të angazhuar në sjellje intime, të tilla si zhveshja, aktiviteti seksual ose veprime të tjera.
Më 23 korrik, SPAK mori zyrtarisht të pandehur Erion Veliajn për korrupsion pasiv, pastrim parash, fshehje pasurie dhe futje e sendeve te palejuara në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale. Akuzat iu komunikuan edhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa.
SPAK i ka komunikuar akuzë edhe efektivit të Policisë së Burgjeve, F.B., i cili i ka dhënë celularin në furgon kryebashkiakut gjatë rrugës nga paraburgimi i Durrësit drejt GJKKO-së.
Veliaj është vënë në hetim nga SPAK disa muaj më parë dhe që prej 10 shkurtit, kur u arrestua, qëndron në paraburgimin e Durrësit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



