Nga Gazeta ‘Si’- Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve i ka kërkuar Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, të nisë procedurat për kallëzim penal në prokurori ndaj anëtarëve të grupeve të numërimit të partive politike në qarqet ku u krye rinumërimi i votave.
Sipas KAS, gjatë këtij procesi janë konstatuar mospërputhje të theksuara midis tabelave të rezultateve të miratuara nga Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) dhe gjendjes reale të fletëve të votimit.
KAS thekson se këto mospërputhje, në disa raste, tregojnë tjetërsim të rezultatit të votave nga anëtarët e grupeve të numërimit. Për këtë arsye, kërkohet një hetim administrativ për të dalluar nëse bëhet fjalë për shkelje administrative apo për vepra penale që duhen ndjekur nga organet e drejtësisë.
Në kërkesën drejtuar Celibashit, KAS citon detyrimin e Komisionerit për të mbikëqyrur veprimtarinë e administratës zgjedhore dhe thekson rëndësinë e hetimit për integritetin e procesit zgjedhor.
“Ky hetim administrative ka rëndësi për të identifikuar dhe për të dalluar rastet që formojnë kundërvajtje administrative, rastet që ngrenë dyshimin e arsyeshëm të bazuar në prova për kryerjen e veprave të caktuara penale në fushën e zgjedhjeve nga rastet që nuk formojnë shkak për procedim.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



