Gazeta Si – Policia ka zbardhur dinamikën e vrasjes së 23-vjeçarit Renis Dobra, i cili u gjet i mbytur më 9 korrik në liqenin e Shkopetit dhe ka arrestuar dy autorët e dyshuar, Petrit Çakrrin dhe Fatjon Bushgjokën.
Në kërkim janë dy vëllezërit e këtij të fundit, Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj.
Aktualisht po hetohen pistat e vrasjes për larjen e hesapeve të drogës, aktivitet kriminal me të cilin viktima dhe të dyshuarit janë marrë në Gjermani.
Krimi u zbardh falë pajisjeve GPS të vendosura në makinat që Çakrri dhe 3 vëllezërit Gjoka kishin marrë me qira për të vëzhguar e më pas për të rrëmbyer 23 vjeçarin Dobra pranë shtëpisë së tij të veshur si policë.
Për tre ditë, autorët e dyshuar e vëzhguan të riun me 3 mjete të ndryshme ndërsa ditën e rrëmbimit i bllokuan rrugën me ‘Range Rover’ dhe ‘Hunday’.
Pas torturës dhe mbytjes me litar, trupi i të riut u hodh në liqenin e Shkopetit. Njëri prej të arrestuarve, Petrit Çakrri është emër i njohur për policinë pasi më herët ka dëshmuar edhepër vrasjen e ish-liderit të PD, Azem Hajdari.

Kush janë vëllezërit Bushgjoka?
Por kush janë tre vëllezërit Bushgjoka nga Tropoja, të cilët akuzohen se planifikuan dhe kryen vrasjen e të riut nga Mati, Renis Dobra i cili u gjet i mbytur në liqenin e Shkopetit më 9 korrik.
Aleksandër, Kristi dhe Fatjon Bushgjoka, ky i fundit i arrestuar, dyshohet se në bashkëpunim me mikun e tyre Petrit Çakrri kryen krimin e rëndë duke e rrëmbyer, torturuar dhe më pas vrarë të riun Renis Dobra me të cilin dyshohet se kishin patur konflikte për trafikun e drogës në Gjermani pasi dyshonin se ai po u vidhte paratë e ardhura nga aktiviteti kriminal.
Të tre vëllezërit të cilët prej vitesh jetonin në Kamëz, rezultojnë të jenë të përfshirë edhe në ngjarje të tjera kriminale. Fatjon Bushgjoka i cili është i arrestuar aktualisht, ka qenë disa herë i proceduar dhe dënuar për vjedhje në Shqipëri si dhe trafik droge në Itali.
Në tetor 2019, Fatjon Bushgjoka mori një leje disa ditore nga burgu i Rrogozhinës dhe nuk u kthye më aty. Asokohe ai ishte dënuar me 6 vite burg për një vjedhje me dhunë të kryer në bashkëpunim.

Kush ësjtë Petrit Çakrri?
Ndër personat e dyshuar si të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë del emri i Petrit Çakrrit, një personazh me të kaluar problematike dhe histori të hershme me drejtësinë.
Çakrri, i cili më vonë ka ndryshuar mbiemrin në Hoxha, është një emër që “rikthehet” nga e shkuara, më konkretisht si një prej dëshmitarëve okularë në ngjarjen e bujshme të vitit 1998, kur u vra ish-deputeti i Partisë Demokratike, Azem Hajdari. Ai ka dëshmuar në atë që u quajt “procesi i shekullit”, por rruga e tij nuk ka qenë asnjëherë larg problemeve me ligjin.
Në vitin 2017, ai u arrestua nën akuzën për “mashtrim me pasoja të rënda”, pasi kishte përvetësuar një shumë prej 4.4 milionë lekësh nga një biznesmen vlonjat duke u paraqitur si tregtar.
Burime nga Policia bëjnë me dije se Çakrri ka ndjekur nga afër lëvizjet e viktimës, Renis Dobra. Menjëherë pas ekzekutimit, ai është larguar nga Shqipëria, ku dyshohet se ka kaluar kufirin përmes pikës së Morinës.
Ndërkohë, nipi i tij është ndaluar nga policia dhe, sipas raportimeve, në celularin e tij janë gjetur prova të rëndësishme që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



