Ngjarje

Mat / E mbytën me litar dhe e hodhën në liqen, arrestohen 2 nga autorët e vrasjes së 23-vjeçarit

Gazeta Si – Arrestohen dy nga autorët e vrasjes së 23-vjeçarit Renis Dobra, ngjarje e ndodhur pak ditë më parë ku trupi i pajetë i të riut u gjet pranë liqenit të Shkopetit.

Sipas burimeve, në pranga janë vënë Petrit Çakrri dhe Fatjon Bushgjoka, në Tropojë e Tiranë. Ndërsa në kërkim janë shpallur vëllezërit e këtij të fundit, Kristi Bushgjokaj dhe Aleksandër Bushgjokaj. Ende nuk dihet zyrtarisht cili ka qenë motivi i këtij krimi të rëndë, edhe pse dyshimet se shkak mund të jenë bërë pazaret e prishura të drogës.

Nga përgjigja paraprake e ekspertizës mjeko-ligjore, rezulton se 23-vjeçari ka humbur jetën nga mbytja me litar.

Renis Dobra, dyshohet se është thirrur në banesën e tij që ndodhet në fshatin Zenisht. Ndërsa trupi i tij u gjet i pajetë rreth 30 km larg shtëpisë, buzë liqenit.

Për zbardhjen e krimit të rëndë, ekspertët e krimeve të policisë së Dibrës, por dhe nga Policia e Shtetit i kanë përqendruar hetimet në disa pista.

Sipas burimeve, në Gjermani, është marrë me shpërndarjen e lëndëve narkotike. Këtë aktivitet dyshohet se po e vijonte së fundmi edhe në qytetin e tij.

Viktima nuk ka precedent të theksuar kriminal, por ka qenë i dyshuar dhe ishte hetuar për vjedhje banesash. Megjithatë hetuesit nuk përjashtojnë pistën se i riu ka pasur konflikte për ndonjë vajzë.

Dyshohet se autorët kanë lëvizur me automjete tip “Range Rover” dhe “Hunday” më 8 korrik ditën kur rrëmbyen të riun Dobra.

23 vjeçari u raportua i zhdukur nga prindërit e tij po në të njëjtën ditë. Ndërsa mëngjesin e 9 korrikut pas disa orëve kërkimesh, u gjet i pajetë në liqenin e Shkopetit rreth 10 metra nga bregu. Më tej u gjet edhe automjeti i tij.

Fillimisht familjarët e tij kishin dyshuar se 23 vjeçari duke qenë person i ndaluar më parë, ishte shoqëruar për në komisariat, por pasi u informuan se nuk ishte aty, nisën kërkimet për gjetjen e Dobrës.

Në fytin e të riut u konstatuan shenja që ngrinin dyshime se ai mund të jetë mbytur me litar dhe më pas është hedhur i vdekur në liqen.

Fati tragjik i Renis Dobrës u bë edhe më i qartë pas dëshmisë së dhënë nga njëri prej kushërinjve të tij i cili tha se ditën kur 23 vjeçari u zhduk e kishin ndaluar dy makina pranë shtëpisë së tij.

Kushëriri i tij i cili po udhëtonte nga Burreli drejt Zenishtit tha se pasi zbriti nga makina e tij për të parë se për çfarë bëhej fjalë, dy persona të veshur me uniforma policie e kishin urdhëruar të largohej.

Menjëherë pas ngjarjes lajmëroi prindërit e të riut të cilët u nisën drejt komisariatit me mendimin se djali i tyre ndodhej aty.

Por në fakt, ngjarja nuk rezultoi e tillë dhe dyshohet se personat që kryen krimin, e rrëmbyen të riun teksa ishin të veshur si policë për të shmangur ndërhyrjen e personave të tjerë


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë