Politike

Pas Vlorës, Rama paralajmëron largime edhe në bashki të tjera: Duhet një aksion vetëpastrimi

Nga Gazeta ‘Si‘- Pas shkarkimit të drejtorëve në Bashkinë Vlorë, kryeministri Rama ka paralajmëruar se do bëjë të njëjtën gjë në Bashkinë e Fierit dhe të Durrësit.

Rama tha se një aksion vetëpastrimi në bashkitë Fier dhe Durrës është një domosdoshmëri pas një periudhe të gjatë qëndrimi në të njëjtat pozicione të të njëjtëve njerëz.

Ai theksoi se qytetet e vendit po marrin një hov të madh zhvillimi, ndaj strukturat duhet t’i përgjigjen sfidave të reja.

“Siç bëmë në Vlorë, do bëjmë në Tiranë, në Fier, Durrës, Shkodër, sepse këto qytete kanë marrë hov të madh dhe do përballen me sfida të reja”, theksoi Rama ndërsa lajmëroi se aksioni për heqjen e zaptimeve në hapësirat publike do të vijojë në disa bashki të vendit.

Ai u ndal sërish te rasti i Thethit, ku shtoi se strukturat shtetërore po punojnë për pastrimin e kësaj “plage mjedisore”.

“Vazhdojmë të pastrojmë plagën e tmerrshme që iu hap Thethit dhe ministria e Drejtësisë po bën gati dokumentacionin, dhe t’i kërkojë KLP që të qëndrojë mbi prokurorinë e Shkodrës, sepse realisht është shumë shqetësuese ajo që ka ndodhur në Theth. Strukturat e shtetit janë lënë në baltë nga një prokurore dhe Prokuroria e Shkodrës e merr në mbrojtje”, pohoi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë