Mjedis

Raporti i UNESCO: Parku Drilon-Tushemisht në rrezik nga ndërtimet dhe projektet urbane!

Parku natyror Drilon-Tushemisht në liqenin e Ohrit ka nevojë për masa urgjente ose do të arrijë një pikë degradimi, pa kthim.

Ky është rekomandimi i UNESCO, publikuar nga Forumi shqiptar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, që pritet të zyrtarizohet gjatë javës.

Në një paragraf të raportit, UNESCO thotë që ky park do të vendoset në listën e pasurive të rrezikuara, pas ndikimit tejet negativ që kanë pasur projektet urbane, infrastruktura dhe ndërhyrjet e papërshtatshme aty.

“Misioni i vitit 2024 konfirmon gjetjet e misioneve të mëparshme, duke arritur në përfundimin se ndikimet kumulative dhe të vazhdueshme – duke përfshirë zhvillimin urban, mangësitë në planifikimin hapësinor, ndërhyrjet e papërshtatshme, eutrofikimin e liqenit, infrastrukturën në shkallë të gjerë dhe projekte të tjera kanë shkaktuar përkeqësim serioz të atributeve kryesore të parkut, duke rezultuar në degradim të pakthyeshëm nëse nuk merren masa vendimtare, dhe konsideron se kushtet për regjistrimin e pronës në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik janë përmbushur, në përputhje me paragrafët 179-180 të Udhëzimeve Operacionale” – thuhet në rekomandimin e UNESCO. 

Në tre raporte të mëparshme UNESCO i kërkonte qeverisë shqiptare dhe asaj të Maqedonisë së Veriut ndërhyrje në Ohër, për ndërtimet e paligjshme dhe planifikimet e gabuara, por të shmangur futjen në Listën e Pasurive të Rrezikuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë