Nga Rashmi Koti – Fituesja e Çmimit “Booker”, Banu Mushtaq, ka shkruar një kapitull të ri në letërsinë indiane me veprën e saj të vlerësuar, “Llamba e Zemrës”. Ky vëllim me tregime të shkurtra, që portretizon me mprehtësi dhimbjen e grave të shfrytëzuarve dhe të margjinalizuarve ka tërhequr tashmë vëmendjen botërore. Një njohje për ata që nuk kanë zë dhe që shprehen nëpërmjet fjalës. Në këtë moment të rëndësishëm, Banu Mushtaq ndau me “Andolana”, një gazetë në gjuhën kannada nga Mysuru, rrugëtimin e saj letrar, sfidat dhe lindjen e “Llambës së Zemrës”.
Rashmi Koti: Kjo është hera e parë në historinë e Çmimit Booker që një vepër me tregime të shkurtra shpërblehet. Çfarë mendoni për këtë?
Banu Mushtaq: Është një moment i madh. Tregimet e shkurtra rrallëherë marrin këtë lloj njohjeje veçanërisht në një skenë si ajo e Booker-it, që zakonisht ka vlerësuar romanet. Kështu që kjo ndryshon shumë gjëra. Dhe fakti që si autorja, ashtu edhe përkthyesja janë kannadige dhe njerëz me ngjyrë, është diçka që s’e kemi parë më parë. Nuk është thjesht një fitore për letërsinë kannada, por edhe për vetë formatin e tregimit të shkurtër, që shpesh lihet mënjanë në hapësirat e mëdha letrare.
Çfarë lloj diskutimesh keni pasur me Deepa-n gjatë përkthimit të tregimeve tuaja në anglisht?
I dhashë Deepa-s liri të plotë. Fillimisht, ajo zgjodhi 12 tregime nga “Haseena dhe Tregime të Tjera” për përkthim dhe m’i dërgoi. Meqenëse tregimet e mia përmbajnë shumë tradita myslimane dhe fjalë në gjuhën urdu, ajo më kërkonte shpjegime dhe unë ia jepja. Përtej kësaj, nuk kishim shumë diskutime.
Deklarata juaj se Islami nuk e ndalon lutjen e grave myslimane në xhami shkaktoi debat. A ndikoi kjo ngjarje në mënyrën tuaj të të shkruarit?
Askush nuk ka pasur ndonjë ankesë ndaj tregimeve të mia, as nga komuniteti mysliman. Megjithatë, pas kësaj polemike, idetë e mia u bënë më të qarta. U bë e rëndësishme të isha më e kujdesshme në stilin e shkrimit dhe në përzgjedhjen e fjalëve.
Përkthimi i fuqishëm që i bëri Deepa Bhasti veprës suaj luajti një rol kyç në marrjen e Çmimit Booker. Çfarë mund të thoni për fuqinë dhe rëndësinë e përkthyesve në këtë kontekst?
Procesi i përkthimit shpesh anashkalohet në peizazhin letrar të shtetit tonë. Nëse shohim letërsinë malajalam, shumë libra janë përkthyer në gjuhë të tjera dhe anasjelltas. Por këtu nuk ndodh shpesh kjo. Prandaj, duhet të organizohen konferenca për rëndësinë e përkthimit dhe për përkthyesit. Gjithashtu, nëse krijohet një sistem që siguron pagesë të denjë për punën e përkthimit, kjo fushë do të zgjerohej dhe do të nxiste daljen e më shumë përkthyesve.

A ju kanë përndjekur ndonjëherë personazhet tuaja?
Absolutisht jo. Personazhet e mi nuk kanë pasur kurrë ankesa apo kërkesa për drejtësi ndaj meje sepse nuk i kam tradhtuar kurrë. Ka pasur shumë raste ku unë dhe personazhi jemi bërë një. Dhe, meqë nuk e kam mashtruar veten, nuk kam mashtruar as personazhet e mi. Prandaj, asnjëri prej tyre nuk ka qenë ndonjëherë në konflikt me mua.
Çfarë mesazhi dëshironi t’i jepni brezit të ri të shkrimtarëve?
Brezi i ri po shkruan në përputhje me nevojat e kohës. Janë shfaqur shumë shkrimtarë të rinj të rëndësishëm, dhe shkrimi i tyre është i qartë dhe i pasur. Shkrimi vetë është një akt kulturor; është një reagim shoqëror dhe politik. Prandaj, përmes të shkruarit, duhet të ofrojmë mendim progresist për shoqërinë dhe vendin tonë, të punojmë aktivisht për ta zbatuar atë dhe të ndriçojmë llambën e mendimit në shoqëri.
Rashmi Koti është kryeredaktorja e gazetës ANDOLANA, një gazetë ditore në gjuhën kannada me histori 52-vjeçare
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.