Libra

‘Kultura e fishtocidit në Shqipëri’/ Studiuesi Lisandri Kola rihap debatin mbi Fishtën dhe abuzimin ndaj figurës së tij

“ Për me u ndalë puna masakruese e Kullit dhe fenomeni i kullizmit, duhet me ndryshu kahja e leximit dhe e mentalitetit menefregist të shoqnisë shqiptare. Por të parët që duhet me ndryshue  janë institucionet akademike dhe anëtarët e tyne. Nëse mungon vetëdija dhe interesi për damin që po i bahet Gjergj Fishtës, atëherë ky dam ka me qënë vetëm kombëtar”

Nga Gazeta “Si” – Botimi më i fundit studimor nga pedagogu dhe studiuesi Lisandri Kola, “Kultura e fishtocidit në Shqipëri” ka rihapur në themel dhe një herë debatin mbi  Gjergj Fishtën dhe trajtesën e veprës së tij mbas viteve 1990.

Ky botim sipas autorit Lisandri Kola, pedagog i ‘letërsisë shqipe në Exil’ në Universitetin e Michiganit, SHBA, komunikon me lexuesit në mënyrë më të drejtpërdrejtë mbi fenomene aktuale të veprës së Fishtës.

Epilogu i këtij botimi sqaron Kola,  mundet ta orientojë lexuesin më mirë përpara se të niset leximi i veprës.

Epilogu duket sikur qëllimisht është sugjeruar nga autori, sepse aty prezantohet edhe ekstrakti e po ashtu përmbajtja dhe qëllimi i këtij botimi, i cili pritet të ndezë debate në fushën e letrave shqipe dhe kryesisht në veprën e Gjergj Fishtës, sipas Kolës të “keqtrajtuar”.

“Abuzimi në emën të shkencës në Shqipni asht kthye në një problem të dukshëm etik, institucional, shoqnor dhe kombtar. Po kaq endemik është edhe neglizhenca ndaj reagimeve profesionale mbi fenomene të kësaj natyre”, – shkruan Lisandri Kola.

Ai sqaron se kjo vepër lidhet vetëm me entet botues brenda kufinjve gjeografikë të Shqipërisë, duke iu drejtuar drejpërdrejt botuesit Frano Kulli i cili prej vitesh ka të drejtën ekskluzive të botimit të veprës së Fishtës.

“Problematika që parashtroj në këtë vepër lidhet dhe kufizohet vetëm me gjeografinë e Shqipnisë dhe jo të enteve të tjera botuese që publikojnë në gjuhën shqipe jashtë territorit shqiptar. Nji abuzim mbi dy dekada si i ai entit të Kullit me veprën e Fishtës nuk e gjej të identifikuem as në Kosovë”.

Në epilog parashtrohet edhe rasti i plagjiaturës së veprës së Frano Kullit, “Fjalori i veprës së Fishtës”, i cili sipas Kolës është një përvetësim nga komentari i At Daniel Gjeçajt.

“Kontributi i “Fjalori i veprës së Fishtës” nga Frano Kulli tingëllon ambicioz, ngazëllyes dhe unik, por e gjitha ndalet vetëm në titullin e veprës. Analizat dhe imitimet në këtë fjalor lanë me kuptue se fjalori asht një punim diletant me mungesa të theksueme profesionale, me gabime strukturore dhe interpretimore. Konkluzioni: fishtocid i primë kahmot prej politikave linguicide që ka pasë ndërmarrë enti i tij botues qyshse e modifikoi dhe e fallcifikoi veprën e Fishtës. Ky fjalor i ka të gjithë treguesit e mundshëm se asht një plagjiarizëm kolegjial, i mirëorganizuem në përvetësimin e komentarit të At Daniel Gjeçajt, ba në 1958 mbi Lahutën e Malcis. Skena e cubnimit, asht rast i pastër studimor dhe kërkon ndjekje ligjore”.

Studiuesi Lisandri Kola, vë në pah edhe përpjekjet e fretënve shqiptarë françskanë dhe entit të tyre botues për të ndaluar abuzimin mbi veprën e Fishtës të botuesit tjetër Frano Kulli. Ai thekson se për herë të parë publikohen edhe evidencat gjyqësore mes dy enteve të vitit 2006.

Lisandri Kola

“Fretnit shqiptarë dhe shtëpia botuese që ata drejtojnë kanë ndjekë të gjitha instancat ligjore dhe editoriale për me mbrojtë abuzimin e Kullit ndaj kolanës së Gjergj Fishtës. Tue thanë kështu kam parasysh evidencat gjyqësore të vitit 2006 që bahen publike për herë të parë në këtë vepër, tue e thye kështu një paradigmë anektodike: pra me folë me të ndieme, siç kanë dëshirë disa. Ajo me të cilën ballafaqohen sot ata, asht zhgënjim i përligjun ligjor dhe kulturor. Prapë sot e kësaj ditë, Fishta asht i falsifikuem, edhe pse me një precedencë penale ndaj Kullit. Ironike”, – shkruan ai.

Epilogu mbyllet me një thirrje për institucionet akademike shqiptare mbi ndërgjegjësimin ndaj figurës së Fishtës, i cili trajtuar pa dinjitet nuk është vetëm dëm që i bëhet Fishtës por kombit shqiptar.

“Për me u ndalë puna masakruese e Kullit dhe fenomeni i kullizmit, duhet me ndryshu kahja e leximit dhe e mentalitetit menefregist të shoqnisë shqiptare. Por të parët që duhet me ndryshue  janë institucionet akademike dhe anëtarët e tyne. Nëse mungon vetëdija dhe interesi për damin që po i bahet Gjergj Fishtës, atëherë ky dam ka me qënë vetëm kombëtar”, – mbyll Epilogun e veprës së tij pedagogu dhe studiuesi Lisandri Kola.

Vepra “Kultura e fishtocidit në Shqipëri” thekson Kola , është një ftesë për këdo që i intereson debati shkencor, ekuilibrat filologjikë dhe mbi të gjitha FISHTA si autor autentik, i pacenuar, i pafalsifikuar dhe interpretuar saktë!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë